Muhabi Osmani – babai i të ndjerës, Marigona Osmani, e ka përshkruar këtë të fundit si një vajzë të qetë, të urtë e të sjellshme.
Sipas tij, Marigona i takonte artit, sepse siç thotë babai i saj, ajo pasion e kishte artin, aktrimin.
“Ajo ka qenë vajza ime e parë, intelegjente dhe e dashur për familje por na ndodhi siç na ndodhi. Ajo është rritur në kushte të mira sepse kemi një biznes familjar, ka qenë e urtë, nuk ka sjellë probleme, ka qenë nxënëse e shkëlqyeshme. Kishte shoqe në lagje, shkollë, ka qenë më së shumti në familje një vajzë e cila ka dëgjuar, nuk na ka kundërshtuar, ka qenë vajzë e qetë, e urtë, e sjellshme”.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, ku po diksutohet për vrasjen e Marigonës, Muhabi Osmani, ka treguar rrjedhën e lidhjes së vajzës së tij me Dardan Krivaçën.
Takimin e parë me Krivaçën, Osmani thotë se e ka zhvilluar në Shqipëri, atje ku Dardani e Marigona ishin larguar.
Gjatë këtij takimi, Muhabi Osmanit, Krivaça i ishte dukur i urtë dhe i sjellshëm.
Por, nuk doli të ishte kështu.
“Ai kishte një sjellje të qetë, i urtë, komunikonte mirë, nuk na linte të dyshojmë diçka, u duk njeri i mirë”, tha Osmani.
Por, këtë mendim nuk e kishte krijuar edhe për nënën e Krivaçës.
Muhabi Osmani, ka theksuar takimi me nënën e Krivaçës, i ishte dukur i çuditshëm.
Kjo për faktin se e njëjta kishte treguar histori të mëparshme të Dadanit, kanosjes së tij me policin, gjë për të cilën ashtu si për një mori veprash të tjera nuk ishte dënuar.
E ëma e Krivaçës, i kishte thënë Muhabi Osmanit që kishte lidhje të forta në Kosovë.
Por jo vetëm.
Lidhjet e forta i kishte edhe në Shqipëri, thotë Osmani.
“Ajo filloi të na tregonte se punonte me sigurime, e kam profesion këtë punë, kam lidhje të forta në Shqipëri e në Kosovë, mu duk pak si e çuditshme, kam lidhjet e mia tha, dhe aty fillova të dyshoja. Më tha kam qejf t’ia sigurojë një jetë këtyre, ne veç e dëgjonim njëherë, u vërjet se edhe ajo ishte me një biografi kriminale”, është shprehur Osmani.
“Ajo kishte pasur lidhje edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Kam dyshime të mëdha se ka mundur të ketë edhe në polici por edhe në gjykatë në Kosovë sepse nuk mundet të nënkuptohet 135 vepra penale dhe të lirohet. Te kanosja e policit kemi dëgjuar më vonë qe e ka kanosur një polic”, shtoi Osmani.
Në anën tjetër, ai ka treguar se gjatë takimit të tij me Marigonën, e kishte pyetur në rast se ka ndonjë problem.
Ajo një gjë të tillë e kishte mohuar.
“Ajo shumë ka qenë në pamje e dobët, ne nuk e dinim, e kam marrë Marigonën jam ulur pranë dhe e kam pyetur si qëndron puna, më tha me këtë kam vendosur. E pyeta a ke probleme, më ka thënë jo. Kam biseduar edhe atë djalë, më thoshte kemi vendosur ta krijojmë një jetë”, shtoi ai.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, të martën e 28 qershorit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.