Ish-Komandanti i FSK’së, Kadri Kastrati, ka folur lidhur me dorëheqjen e Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Kastrati ka thënë se Ministria e Mbrojtjes ka shënuar progres më të lartë gjatë udhëheqjes nga ai, duke theksuar se Mehaj nuk ka lejuar që të dirigjohet nga askush. Madje, sipas tij, kjo mund të ketë qenë një prej arsyeve pse ka dhënë dorëheqje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“I vetmi dikaster që ka dhënë rezultate pozitive ka qenë Ministria e Mbrojtjes me Mehajn. Më e rëndësishmja e ka rritur bashkëpunimin me partnerët strategjisë, sidomos SHBA-në. Ka bërë blerje strategjike të armatimit. Kjo është ndoshta një prej arsyeve që Mehaj ka dhënë dorëheqje, sepse e ka karakterin e një ushtaraku, nuk lejon që të dirigjohet apo komandohet nga dikush tjetër”, ka deklaruar Kastrati në KTV.
I pyetur nëse ndërhyrjet në punën e tij kanë ndikuar që Mehaj ta dorëzojë dorëheqjen si ministër, Kastrati ka thënë se “mund të ndodhë, sepse më së paku besoj që ai ka dhënë dorëheqje për arsye personale”.
Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka treguar edhe arsyet e dorëheqjes së Mehajt.
Sipas tij, Mehaj ka kërkuar lirim nga kjo pozitë pasi bashkëshortja e tij është diagnostikuar me një sëmundje të rrallë, dhe si pasojë Mehaj ka kërkuar që të ndodhet pranë familjes në Oslo këtë periudhë.
“Ministri Armend Mehaj ka kërkuar lirim nga detyra për shkaqe familjare. Gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë dhe për çka i duhet tretman dhe kujdes në një qytetet tjetër nga ai i Oslos. Çifti i ka tri vajza të moshës së mitur dhe ministri Mehaj ka kërkuar që të ndodhet pranë familjes në këtë kohë”, ka thënë Kryeziu për Reporteri.net.
Pas dorëheqjes së tij, Mehaj në një reagim të gjatë në Facebook, theksoi se e kishte njoftuar me kohë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai foli edhe për kohën sa ishte Ministër, ku shkroi se brenda 29 muajve sa ishte në këtë detyrë, kanë dyfishuar buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, nga 64 milionë euro në 123 milionë euro, kanë rekrutuar edhe 1836 ushtarë të rinj.