Banorët e Himarës kanë ndezur qirinj në plazh në mbrëmjen e të mërkures, në vendin ku humbi jetën 7-vjeçarja një vit më parë.
Ngjarja tragjike e një viti më parë nuk është harruar nga banorët, të cilët edhe gjatë ditës së sotme kanë vendosur lule dhe një zemër ngjyrë deti për Jonada Avdian, shkruan Top Channel.
Jonada me origjinë nga Tropoja kishte ardhur me pushime me prindërit e saj, të cilët prej më shumë se dy dekadash jetonin në Angli. Ngjarja tronditi opinionin publik në të gjithë Shqipërinë të cilët u ngritën në protesta për javë me radhë. Për këtë ngjarje është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.
Më 11 korrik Prokuroria e Vlorës mbylli hetimet për ngjarjen tragjike të Himarës dhe doli në përfundim se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit nga ana e drejtuesit të mjetit lundrues Arjan Tase të zonës së përcaktuar për notarë si dhe manovrës së gabuar në drejtimin e mjetit.
Arjan Tase akuzohet për veprën penale të “Vrasje me dashje” në mënyrë indirekte parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Për tetë personat e tjerë, të cilët janë punonjës të policisë kufitare dhe të bashkisë Himarë është ngritur akuza e “shpërdorimit të detyrës”.
Pavarësisht tragjedive me mjetet lundruese në plazhe, jo të gjithë pushuesit janë ndërgjegjësuar për pasojat dhe vazhdojnë drejtojnë skafet me shpejtësi e në zona afër bregut duke rrezikuar jetë. Për të parandaluar ngjarje si ajo e Potamit, është ngritur Njësia Policore Detare, e përbërë nga 104 punonjës të cilët monitorojnë bregdetin shqiptar.