Kuvendi ‘dembel’, veç 13% përmbushi agjendën legjislative

Kuvendi i Kosovës po del të ketë qenë dembel në sesionin pranveror, të cilin e mbylli javën që shkoi. Vetëm 13% të agjendës legjislative e ka përmbushur institucioni më i lartë ligjvënës në vend. Kjo është bërë e ditur në raportin e Institutit Demokratik të Kosovës, lidhur me punën e Kuvendit gjatë pjesës së parë të këtij viti. Hulumtues të KDI-së kanë kritikuar deputetët për mungesa dhe mos angazhimin.

Kuvendi i Kosovës duket të jetë treguar “dembel” në sesionin pranveror, pasi ka përmbushur vetëm 13% të agjendës legjislative.

Sipas raportit që ka publikuar Instituti Demokratik i Kosovës, legjislativi ka miratuar vetëm 44 projektligje gjatë këtij sesioni, madje, pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë të bartura nga viti i kaluar.

Arbër Thaçi, hulumtues në KDI ka thënë se sesioni pranveror i Kuvendit është karakterizuar nga shumë të papritura, me përmbajtje të llojllojshme dhe shumë sfida, e me mungesë të deputetëve.

Ndërsa, hulumtuesja tjetër në KDI, Violeta Haxholli tha se aktiviteti i deputetëve gjatë këtij sesioni nuk ka qenë i kënaqshëm.

Madje, ajo tha edhe një fakt interesant, rreth pyetjeve parlamentare të parashtruara nga deputetët.

Në bazë të gjetjeve të KDI-së, kryeministri Albin Kurti, u është përgjigjur të gjitha pyetjeve, ndërsa më së paku përgjigje kanë kthyer ministri Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla që nuk i është përgjigjur asnjë pyetje dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Në këtë raport, evidentohet edhe gjuha joparlamentare e përdorur nga deputetët, derisa është kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të jetë më rigoroz në dënimin e ligjvënësve.

Gjatë prezantimit të këtij raporti, KDI ofroi disa rekomandime për legjislativin dhe deputetët, duke theksuar nevojën për planifikim të mirëfilltë të seancave, pjesëmarrje të rregullt të deputetëve në punimet e Kuvendit, zgjerim të konsensusit dhe gjithëpërfshirjes për Reformën në Drejtësi, rritje të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, adresimin e gjuhës jo parlamentare dhe garantimin e transparencës së këtij institucioni ndaj publikut./Gazeta10

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *