Ministria e Tregtisë e drejtuar nga Rozeta Hajdari – edhe njëherë tjetër – u kthye në qendër të vëmendjes për shkak të një tjetër afere pas publikimit të incizimeve të reja nga gazeta Nacionale pas asaj të “Vajit”. Bëhet fjalë për aferën e “Grurit”. Publikimi i këtyre incizimeve ka shkaktuar reagimin e ashpër të opozitës, e cila akuzon ekzekutivin për keqpërdorim dhe vjedhje të mallrave bazike ushqimore të rezervës shtetërore.
MINT-i (Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë) ndodhet përsëri përballë një skandali të dyshuar korrupsioni, ndërsa Gazeta Nacionale vazhdon të zbardhë aktivitetet e dyshimta në Ministrinë e Tregtisë të drejtuar nga Rozeta Hajdari, përmes publikimit të incizimeve. Pas aferës “Vaji”, Nacionale publikoi sot ekskluzivisht incizime të reja për aferën “Gruri” pas asaj të “Vajit”.
Në këto incizime, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë bisedojnë rreth nënshkrimit të kontratës për blerjen e grurit vitin e kaluar. Në bisedë përmenden emrat e disa zyrtarëve si Hafiz Gara, Rexha, Arbëri, këshilltari (që nuk dihet nëse është fjala për këshilltarin e ministres, apo të ndonjë zyrtari tjetër)
Në përgjim, zyrtari Enver Hajruallahu, i cili ka pozitën e certifikuesit, tregon se kishte presione të mëdha për të nënshkruar kontratën për blerjen e grurit, edhe pse disa tone mungonin.
Opozita kërkon llogaridhënie
Publikimi i incizimeve të reja është me reagim të ashpër mga opozita që ka reaguar ndaj aferës. Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një reagim në Facebook ka ngritur akuza të ashpra ndaj pushtetit pas publikimit përgjimeve.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka akuzuar qeverinë se ka “futur duart në sofrat e qytetarëve”.
“Nga keqpërdorimi i qindra miliona eurove në energji, sot, Qeveria e Albin Kurtit, me emblemën e rreme të shpresës në ballë, ka futur duart edhe në sofrat e qytetarëve, duke vjedhur edhe produktet bazike ushqimore të rezervës shtetërore.” – ka shkruar Krasniqi.
Ai tutje ka thënë se afëra e grurit është vulë e mentalitetit qeverisës e pushtet të përqendruar në korrupsion e keqpërdorim.
“Afera e fundit – afera e grurit – është vulë e mentalitetit qeverisës të këtij pushteti të përqëndruar në korrupsion e keqpërdorim. Nuk ka ku shkon më poshtë se kaq. Apo ka?” – ka shkruar ndër të tjera kreu i PDK-së.
Një tjetër zë kritik që ka reaguar ndaj skandalit të grurit është zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi. Ajo e ka quajtur këtë skandal një të vërtetë të dhimbshme dhe shqetësuese.
Sipas saj, kjo situatë tregon presionin dhe dhunën që ushtruan politikanët ndaj stafit civil në Ministrinë e Tregtisë.
Halimi ka theksuar se ky skandal reflekton mënyrën e qeverisjes së diktatit, duke sjellë në dukje mungesën e drejtësisë dhe të besimit të qytetarëve ndaj pushtetit aktual.
“Skandali ‘gruri’ – i raportuar në media – me ç’rast vendi mund të këtë humbur hiç më pak se gjashtë milionë euro, shpërfaqi sërish një të vërtetë të dhimbshme e shqetësuese; presionin e dhunën e ushtruar nga politika e Albin Kurtit mbi stafin civil. Personazhi i përfshirë në përgjime, Enveri, është imazhi i realitetit, ku shërbyesit civil të cilët kanë prit e përcjellë pushtete politike, i janë nënshtruar sot partisë-shtet”, ka shkruar ajo në Facebook.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka akuzuar qeverinë për shkelje të ligjit dhe keqpërdorimit të fondeve publike.
Ajo ka thënë se incizimet e tilla janë pasqyrë e qeverisë. Sipas saj, shteti u vu kundër Enver Hajrullahut që ishte për ligj e drejtësi.
“Shantazh. Intimidim. Keqpërdorim. Në fjalët e tyre: Llugë! Miliona euro të paguara, mungesë e madhe e grurit në rikthim. Enveri, zyrtari i vetëm për ligj e drejtësi. Pastaj shteti u vu kundër tij. Kjo është pasqyra e kësaj Qeverie. Abuzo e shkel, gjithçka dhe këdo që del përpara. 2 vjet, 4 muj e 10 ditë të Qeverisë Kurti II me të njëjtin sistem: Në emër të shpresës!”, – ka shkruar ajo.