Rreth 100 metra larg varreve të dy djemve të saj, në fshatin Mejë të Gjakovës, në jugperëndim të Kosovës, guri përkujtimor i Pashke Markajt – nënës e cila e dogji veten me benzinë në vitin 2003, katër ditë pasi i varrosi dy djemtë e saj – mbeti i përmbysur.
Gjevalin dhe Milan Markaj ishin në mesin e 376 civilëve shqiptarë, të vrarë nga forcat serbe, në masakrën e Mejës, në prillin e vitit 1999.
Trupat e tyre u gjetën në varrezën masive në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në Serbi, në vitin 2001, bashkë me më shumë se 700 trupa të kosovarëve të vrarë nga forcat serbe, gjatë luftës së viteve 1998-’99.
Në vitin 2004, një vit pasi Pashke Markaj dogji veten, familjarët, në pajtim me pronarin e një toke private në fshatin Korenicë të Gjakovës, vendosën një gur përkujtimor, në vendin ku ajo u vetëflijua.
Ky gur përkujtimor qëndroi në këtë tokë deri më 21 korrik 2023, kur pronari i tokës vendosi ta largonte atë.
“Asnjë shenjë nuk ka qenë aty. Vetëm guri. Është vizituar nga njerëzit që e kanë ditur historinë”, thotë nipi i Pashkes, Liridon Marku, për Radion Evropa e Lirë.
Në mungesë të përkujdesjes institucionale, ky monument, që familjarët thonë se për ta përfaqëson dhimbje e mërzi, u hodh skaj rrugës, pranë një grumbulli mbeturinash, në dalje të fshatit Mejë.
Pronari i tokës ku ishte i vendosur guri – e me të cilin Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktonte – nuk i bëri publike arsyet se pse vendosi ta largonte gurin përkujtimor pas 19 vjetësh.
Pasi largimi i gurit bëri bujë në media, Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale në Kosovë e mori nën përkujdesje këtë monument, dhe e dërgoi atë përkohësisht në kompleksin e martirëve, në Mejë.
Aty, edhe sot, guri rri i përmbysur.
U mor në mbrojtje, por u la i përmbysur në Mejë
Derisa familja Marku mendon se guri përkujtimor i Pashkes do të “peshonte” më së miri në vendin ku ajo vrau veten, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në Kosovë tha se guri përkujtimor do të qëndrojë përkohësisht në Kompleksin Memorial “27 Prilli”, në Mejë, deri në një zgjidhje të përhershme.
Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, e cila vepron në kuadër të kësaj ministrie, është zotuar se “do të sigurohet që, në pajtim me ligjin, të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ofrimin e zgjidhjes së duhur, duke ruajtur vlerat shpirtërore, historike”.
Memorialet, pa përkujdesje dhe pa informacione për vizitorët
Guri përkujtimor i Pashke Markajt nuk është monumenti i vetëm pa përkujdesje institucionale në Kosovë.
Janë edhe dhjetëra objekte dhe monumente të tjera, të lidhura me ngjarjet e luftës së viteve 1998-’99, që nuk gëzojnë kurrfarë përkujdesje.
Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës, në një studim të publikuar në vitin 2022, kishte identifikuar 12 vende të krimit, të cilat nuk janë të shënjuara askund, dhe që janë pak të njohura për publikun.
Aty përmenden: Burgu i Smerkonicës në Vushtrri, Spitali i Prishtinës, Ura e Lluzhanit, Xhamia e Krushës së Madhe, Varrezat masive, Stacioni i autobusëve, Stacioni i trenit në Fushë-Kosovë, Kufiri me Shqipërinë, si dhe disa lokacione të tjera.
Asnjë nga këto vende, në të cilat janë kryer krime të luftës, si dhe në të cilat janë vrarë civilë, kryesisht shqiptarë, nuk janë të shënuara si monumente që i takojnë trashëgimisë së luftës së fundit.
Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës, Bekim Blakaj, thotë se shënimi dhe mbrojtja e këtyre objekteve dhe monumenteve do të ndihmonte në pasurimin dhe ruajtjen e kujtesës kolektive.
Blakaj sugjeron formimin e një komisioni profesional, që do të duhej t’i vlerësonte të gjitha memorialet që janë ngritur pas luftës.
“Secili memorial që i plotëson kriteret bazike pastaj do të duhej të merrej në përkujdesje të shtetit”, vlerëson Blakaj.
Profesori i Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Durim Abdullahu, thotë se shoqëria në Kosovë jeton e rrethuar nga trashëgimia e luftës së fundit, por “duke qenë se ajo është pothuajse e kudondodhur, ka ngelur e patrajtuar”.
Abdullahu e cilëson të rëndësishëm ndërtimin e mekanizmave institucionalë shtetërorë, përmes të cilëve do të mbrohej trashëgimia e luftës, pasi që, siç thotë ai, në shumë pak raste janë shënuar vendet ku kanë ndodhur vrasje e masakra gjatë luftës së viteve 1998-’99.
“Shteti i Kosovës duhet të krijojë një hartë me të gjitha vendet e masakrave dhe të projektojë një program të integruar të shënimit të vendeve të masakrave dhe të luftimeve”, konsideron Abdullahu.
Në shumë vende ku kanë ndodhur krime, dhe ku ka memoriale në Kosovë, nuk ka shënime adekuate për ngjarjen.
Mungojnë tabela me tekst apo versione digjitale, përmes së cilave do të mund të shpjegohej historia e masakrave, viktimave dhe vetë historia e luftës.
Zhdukja graduale e trashëgimisë së luftës
Lufta në Kosovë zyrtarisht ka përfunduar në qershor të vitit 1999. Por, që nga kjo kohë, Kosova nuk ka krijuar një bazë të dhënash të sakta të personave të vrarë.
Bazë të dhënash nuk ka as për shtëpitë e djegura, as për vendet ku janë kryer krimet, e as për dëmet e tjera të luftës.
Në muajin korrik, Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Përmes këtij vendimi, Kosova, për herë të parë, do të themelojë një institut të tillë, i cili ka për qëllim dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janari i vitit 1998 deri më 20 qershor të vitit 2000.
Dokumentimin e krimeve të luftës, ky institut pritet ta bëjë nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, mjeko–ligjor dhe sociologjik.
Gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-’99, llogaritet se janë vrarë më shumë se 13.500 njerëz.
Në tërë territorin e Kosovës llogaritet të kenë ndodhur rreth 400 masakra.