Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tre persona janë dërguar në mbajtje pasi dyshohen për vepra penale që lidhen me vjedhje të identitetit.
Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Mitrovice Jugu, e kanë trajtuar një rast pas një informate të pranuar dje.
Informata është pranuar nga zyrtarë të regjistrit civil, pas aplikimit të një personi rreth 30 vjeçar për letërnjoftim, i cili sipas Policisë, dyshohej se nuk ka paraqitur të dhëna të sakta të identitetit.
“Pas hetimeve të zhvilluara dhe bashkëpunimin me zyrtarët e ARC-së, është krijuar dyshimi se J.K., nuk është personi me të dhëna të vërteta. I dyshuari kishte siguruar ekstraktin e lindjes me plotësimin e deklaratave të rreme nga të dyshuarit: Sh.H (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar) dhe B.D (viti i lindjes 1986, mashkull kosovar)”, ka bërë të ditur Policia.
Për rastin janë njoftuar organet e drejtësisë, ndaj të dyshuarve janë iniciuar rastet “vjedhja e identitetit”, “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “deklarim i rrem”.
Sipas Policisë, të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me aktvendim nga prokurorja kujdestare, janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.