Gjatë diskutimeve në Bruksel, në mes të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, para disa javëve është diskutuar edhe mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore. Ndërsa, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), dje ka marrë vendim për caktimin e një grupi punues që do të hartonte Udhëzimin Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largonte kryetarët e komunave në veri të vendit, shkruan Gazeta Metro.
Ministrit i MAPL-së, e udhëhequr nga Elbert Krasniqi, ka zgjedhur kryesues Besim Myrtezanin, ndërsa si anëtarë Xhevat Tavën, Fetije Begollin dhe Flurim Arifin.
Lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve, ka folur zëdhënësi i i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
Ai ka deklaruar se përgatitjet intensive për organizimin e një procesi zgjedhor, fillojnë pas shpalljes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Përgatitjet intensive për organizimin e një procesi zgjedhor fillojnë pas shpalljes së datës për mbajtjen e tij. Si zakonisht, vendimet e para të KQZ-së kanë të bëjnë caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore, ku bëjnë pjesë aplikimi dhe certifikimi i subjekteve politike, emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve dhe anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit, aplikimi dhe votimi jashtë Kosovë, certifikimi i listës përfundimtare të votuesve, e të tjera”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.
Se a është e gatshme, KQZ, për zgjedhjet në veri, Elezi, ka thënë se në kontekst të organizimit të zgjedhjeve të reja, ky institucion çdo herë është gati ta përmbush rolin e tij kushtetues dhe ligjor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, ka thënë Elezi.
Ai ka bërë me dije për zgjedhjet në veri, KQZ-ja kishte planifikuar mbi 497 mijë euro por që janë shpenzuar vetëm 141,938 euro apo 28.54 për qind e mjeteve të planifikuara.
“Sipas raportit të hartuar lidhur me shpenzimet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq, nga 497,398 euro të planifikuara, janë shpenzuar vetëm 141,938 euro apo 28.54 për qind e mjeteve të planifikuara. Në këtë përqindje të ultë të shpenzimeve ka ndikuar numri i vogël i anëtarëve të këshillave të vendovotimit si dhe përmbyllja e procesit zgjedhor në raundin e parë. Në këtë shumë të përgjithshme të mjeteve të shpenzuara, janë përfshirë edhe mjetet për organizimin e zgjedhjeve të 18 dhe 25 dhjetorit 2022, të cilat u shtynë më 10 dhjetor, si dhe mjetet për organizimin e zgjedhjeve të datës 23 prill 2023. Buxheti i planifikuar për organizimin e raundit të parë të zgjedhjeve ka qenë në shumën 310 183 euro, ndërsa për raundin e dytë 246 300 euro”, ka bërë me dije ai.
Tutje, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar se në rast të shpalljes së zgjedhjeve të reja, KQZ-ja do të bëjë planifimin buxhetor.
Zgjedhjet në veri i kanë fituar kandidatët shqiptarë pasi këto zgjedhje janë bojkotuar nga serbët. Vendosja e kryetarëve në katër komunat në veri është përcjellë me tensione dhe protesta të dhunshme nga serbët. Në këto protesta të dhunshme janë lënduar policë, ushtarë të KFOR-it dhe gazetarë. Pavarësisht kësaj, serbët dhe Serbia nuk janë duke u pajtuar me këto zgjedhje. Duke e parë situatën e tensionuar në veri, bashkësia ndërkombëtare është duke insistuar në shtensionimin e situatës dhe përsëritjen e zgjedhjeve me disa kushte, të cilat përfshijnë edhe largimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale. Po ashtu, bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar që kryetarët t’i ushtrojnë detyrat e tyre nga ndërtesat alternative. Deri më kërkesa për largimin e njësive speciale nuk është marrë parasysh nga Qeveria e Kosovës, por ka shprehur gatishmëri për zgjedhje të reja në këto katër komuna. Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të ndërkombëtareve, Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur disa masa kundër Kosovës.
Kujtojmë se zgjedhjet në veri janë fituar nga kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosjes (LV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Lulzim Hetemi (LV) është zgjedhur kryetar i Komunën së Leposaviqit, Erden Atiqi (LV) në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Ilir Peci (PDK) në Komunën e Zveçanit dhe Izmir Zeqiri (PDK) në Komunën e Zubin Potokut.