Urdhri për ta nisur largimin e kryetarëve nga komunat në Veri, Kryesuesi i grupit punues: Puna do të kryhet shpejt

Një grup zyrtarësh janë angazhuar për ta hartuar një udhëzim administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në veri të vendit duke i larguar fillimisht kryetarët aktualë nga detyrat. Për ta përgatitur dokumentin kanë kohë deri më 1 shtator Kryesuesi i këtij grupi tha se kjo punë do të kryhet shpejt. Qeveri Kurti duket e përkushtuar për të vazhduar edhe tërheqjen e policëve larg ndërtesave komunale në veri, dy muaj pasi me ndihmë të Policisë, kryetarët e zgjedhur shqiptarë atje u futën në zyrat e tyre.

Kryeministri Albin Kurti tha më 26 korrik se po bëhen gati për zgjedhje të reja në veri të vendit, saktësisht dy muaj pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë.

Pesë ditë më vonë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nisi procedurën për hartimin e udhëzimit administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Vendimi i 31 korrikut që mban nënshkrimin e ministrit Elbert Krasniqi parasheh formimin e një grupi punues për t’u marrë me këtë proces. Ministri e konfirmoi këtë pasi dokumenti u bë publik në media.

Blerim Myrtezani, kryesues i këtij grupi punues i tha Gazetës Express se kanë nisur qe dy ditë punën që ai thotë se do të “kryhet shpejt”.

“Besoj që shpejt e bëjmë udhëzimin. Tash janë rregullat e përcaktuara me ligjin për vetëqeverisje lokale. Ka me u bë veç procedura me KQZ-në. Puna po ecën mirë”, tha ai.

Puna e këtij grupi, sipas vendimit, parashihet të përfundojë deri në shtator.

“Grupi Punues është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Grupi punues duhet të finalizojë projekt-udhëzimin administrativ, dhe ta procedojë te Zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më datën 01 shtator 2023”, thuhet në vendimin e MAPL-së.

Kjo lëvizje e Qeverisë vjen pas marrëveshjes së arritur me BE-në më 10 korrik për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Brenda dy javësh pritej të shtensionohej situata në veri, në bazë të asaj marrëveshjeje të arritur ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak në Bratisllavë.

Qeveria u pajtu, siç njoftoi vetë, që “pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs” dhe që ta “shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

BE-ja preferon që zgjedhjet të bëhen përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë për shkak të rrugës më të shkurtër, por kryeministri Albin Kurti thotë se nuk mund t’i detyrojë ata ta bëjnë këtë gjë. Shefi i Qeverisë e thekson vazhdimisht nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale që thotë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është e mundshme nëse 20% e elektoratit nënshkruajnë një peticion.

Ministri Krasniqi tha sot se “peticioni është shprehje e vullnetit të 20% të trupës votuese të një komune”.

“Nëse në një komunë të caktuar qytetarët e asaj komune arrin t’i kenë 20% të trupës votuese me kërkesën që të largohet kryetari i komunës, atëherë do të trajtohet si kërkesë, nëse nuk do të ketë atëherë kjo mbetet aty, kryetarët e vazhdojnë punën në komunë”, tha ministri.

Tërheqja e Policisë larg ndërtesave komunale në veri

Kosova i tërhoqi menjëherë 25% të policëve në dhe përreth ndërtesave komunale në katër komunat veriore, sipas marrëveshjes së arritur me BE-në, i cili parasheh edhe zvogëlim të mëtejmë të pranisë policore atje.

Kur pritej që Policia të vlerësonte bashkë me KFOR-in dhe EULEX-in mundësinë e tërheqjes edhe të disa policëve, s’u mor ende ndonjë vendim. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pati thënë se është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas marrëveshjes së arritur me emisarin Miroslav Lajçak në Bratisllavë dhe tërheqjes së 25% të forcave policore.

Masat nuk janë hequr ende.

Së fundmi, komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia u takua me Shefin e Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Pietro Barbano dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Në takim, siç njoftoi KFOR-i, u diskutuan gjerësisht masat e deeskalimit “që do të zbatohen në afat të shkurtër nga institucionet në Kosovë”. Sipas misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, takimi ishte pozitiv dhe konstruktiv dhe se ai “do të pasohet nga takime të mëtejshme periodike si në nivel teknik dhe ekzekutiv”.

Marrëveshja e 10 korrikut, sipas BE-së, parasheh që Kosova do të bëjë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore “duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”.

“Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes, sipas Qeverisë./Express

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *