Grupimi “Tifozat Kuq e Zi”, prej shumë vitesh i qëndrojnë pranë kombëtares shqiptare të futbollit, duke e mbështetur atë në çdo skaj të Evropës. Por njëkohësisht, ky grupim herë pas here ka ndërmarrë nisma shumë të rëndësishme kombëtare.
E tillë është edhe e kjo e fundit, në jugun e Shqipërisë, ku falë financimeve të tyre, kanë filluar të dekorojnë pjesë të rrugëve kombëtare me flamurin kuqezi. Në këto pjesë rrugësh, ku shpeshherë ndeshen edhe shkrime antishqiptare, pjesëtarë të “TKZ” kanë filluar që të lyejnë me flamurin shqiptar pjesët panoramike. Kështu, kush kalon tashmë për pushime në ato akse rrugore, mund të shijojë Shqipërinë pa shkarravitjet në gjuhë të huaja të cilat jo rrallëherë janë fyese ndaj vendit tonë.
Njoftimi nga TKZ:
Të dashur Tifoza Kuq e Zi,
Një ditë historike po fillon për ne!
Me anë të kontributit vullnetar të anëtarëve të TKZ-së, dhe veçanërisht të atyre me banim në Zvicër, nis sot një mision kombëtar në jug të Shqipërisë.
Duke filluar nga sot, ne do të fshijmë shkrime të ndryshme dhe do t’i zëvendësojmë ato me flamurin tonë kombëtar, shenjën e identitetit dhe unitetit tonë!
Vendi i parë ku filloi ky transformim është Llogaraja, pjesa panoramike ku shqiptarët ndalen për të ruajtur kujtime. Tani, në vend të shkrimeve antishqiptare ata do të gjejnë ngjyrat Kuq e Zi!
Në këtë mision, bashkohemi të gjithë në ngritjen e flamurit tonë kombëtar. 🇦🇱
O sa mirë me qenë Shqiptar!