Një varg zyrtarësh të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” kanë pranuar një e-mail të çuditshëm nga e-maili zyrtar i Urtak Hamitit, anëtar i këshillit drejtues të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”.Në e-mail Hamiti flet për gjykimin e Enver Sekiraqës, të akuzuarin për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, për të cilin thotë se “është më e rëndësishme se çdo tjetër”.“Enveri Sekiraqa e ka rigjykimin javën tjetër. Kjo është me rendësi. Per mua kjo ka peshe. Qe ai të jetë në liri. Këto të tjerat janë sekondare. Shume sekondare”- thuhet në e-mailin të cilin zyrtarët e kanë pranuar nga e-maili i Urtak Hamitit.
Ky mesazh është dërguar edhe në adresë të gazetares së KALLXO.com, e cila para pak ditësh kishte kërkuar monitorimin e konkursit publik për rektor të Universitetit “Kadri Zeka”.KALLXO.com ka kontaktuar me Hamitin, i cili ka mohuar se e-maili është dërguar nga ai.
“Nuk e kam dërgu unë këtë email. A je ti që punon për Jeta Xharrën? A je? Thuaji Jeta Xharrës, Urtak Hamiti jam unë. Mos boni asi. Nuk e di kush e ka dërgu. Me atë punë merret shërbimi i sigurisë. Me këtë po du me thonë që nuk e kam prekë unë atë email. Kush e ka prekë nuk e di. Me atë merren institucionet, nuk merrna unë. Mos u habit, nuk është punë as e jemja as e jotja është e sigurimit të shtetit. Unë s’e kam dërgu atë e-mail”- ka thënë ai sot. Hamiti nuk ka konfirmuar nëse ka hapur rast për këtë çështje.Enver Sekiraqa është i akuzuar për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza. Babai i Rizës kishte akuzuar disa herë Sekiraqën si njeri të lidhur me LDK-në .KALLXO.com ka konfirmuar që gjykimi në rastin e Enver Sekiraqa mbahet javën tjetër, më 11 korrik. Këtë e ka konfirmuar Kosovare Kelmendi, avokatja e Sekiraqës. Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” ka zgjedhur rektorin e ri, Artan Dërmaku. Dje është zhvilluar procesi i intervistave nga këshilli drejtues i këtij Universiteti.