Pronari i pompës së derivateve ‘Shell Kosova’, multimilioneri Lulzim Kryeziu, dita ditës po e pasuron dosjen e tij penale. Pa u bërë as gjysmë viti prej kur përfundoi në pranga të Policisë, ai është futur sërish në telashe me ligjin. Për dallim prej herës së fundit që u dorëzua vet në Polici, ai këtë herë ka zgjedhur të arratiset, që të shpëtojë nga duart e shtetit.
I njohur për organet e rendit si person i dyshuar për dhunë në familje, Kryeziu është denoncuar sërish për të njëjtën vepër.
Sinjali mëson ekskluzivisht se Kryeziu është denoncuar të dielën nga bashkëshortja dhe djali i tij, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, për shkak të frikës dhe rrezikut që po iu kanoset nga burri/babai i tyre.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti i fundit dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e përbashkët të çiftit në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, ku Kryeziu dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj dy viktimave.
Sipas informacioneve të para që posedon Sinjali, bashkëshortja e të dyshuarit dhe djali i saj kanë rrëfyer se për shkak të dhunës psikike që biznesmeni Kryeziu ka ushtruar ndaj tyre, ata janë detyruar ta lëshojnë shtëpinë dhe të kërkojnë strehë te familjarët e tyre.
Bazuar në dëshmitë e tyre, të dhënë në Polici, viktimat kanë deklaruar se në mbrëmjen e së shtunës, burri/babai i tyre i ka ofenduar me fjalë nga më të ndryshmet dhe për të mos mbaruar me kaq edhe i ka kërcënuar.
Përsëritja e një vepre të tillë ua ka imponuar atyre largimin nga shtëpia dhe denoncimin e rastit në Polici.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje, por këtë herë nuk kanë arritur të bien në gjurmët e Kreyeziut, i cili ka vendosur që ta lë Kosovën, me shpresën se kështu mund të shpëtojë nga përballja me veprën për të cilën ngarkohet.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për hetimin e ngjarjes dhe posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit, të ndërmerren hapat e tjerë brenda afatit ligjor.
Kujtojmë se herën e fundit, biznesmeni Kryeziu ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar, kur ishte denoncuar për dhunë nga bashkëshortja e tij, të cilën dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht. Edhe para këtij rasti, ai ishte raportuar për të njëjtën vepër penale.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.