Ministria e Shëndetësisë (MSH), një specializante e cila kishte shkuar në pushim të lehonisë e kishte paguar për 9 muaj më shumë me 70 për qind të pagës bazë.
Zyra e Auditorit Kombëtar ka identifikuar mangësi edhe tek tri raste të specializanteve të rregullta që kishin shkuar në pushim të lehonisë pa vendim nga MSH-ja. Në mungesë të vendimit të pushimit të lehonisë, specializantet nuk kanë mundur t’i dorëzojnë dokumentet për të përfituar të drejtën e pushimit me pagesë edhe për tre muajt tjerë nga Qeveria.
“Një specializante ishte paguar nëntë muaj nga MSH-ja tre muaj më shumë me 70% të pagës bazë, duke mos i aplikuar ndalesën e pushimit të lehonisë, ndalesën e shujtës dhe shtesës për Covid 19. Po ashtu, edhe në dy raste tjera shujta dhe shtesa për Covid 19 nuk i ishte ndalur specializanteve që ishin në pushim të lehonisë; dhe Ministri me datë 09.03.2022 kishte nxjerrë vendim për pagesën e dy kujdestarive obligative në muaj për specializantët dhe që pagesa duhet të aplikohet në mënyrë retroaktive nga muaji Janar 2022. Ne kemi vërejtur që në katër raste janë paguar më shumë se dy kujdestari për disa muaj. Në listat e pranuara nga SHSKUK kishte pagesa deri në katër kujdestari”, thuhet në raport.
Sipas përllogaritjeve vlera e gabimit ishte 5,855 euro. Menaxhimi i dobët ishte rezultat i mungesës së kontrolleve për specializantët nga ana e zyrtarëve përgjegjës të ministrisë.
“Pas shqyrtimit nga ekipi i auditimit të gabimeve dhe tejkalimeve në pagesa, zyrtarët përgjegjës kanë filluar të aplikojnë ndalesat në paga nga viti 2023”, thuhet në raport.
Po ashtu ZKA-ja, ka gjetur mangësi edhe në proceset e prokurimit ku kanë identifikuar se në aktivitetin e ri-tenderimit “Furnizim me dokumente shëndetësore–receta për institucionet shëndetësore” anëtar i komisionit për vlerësimin e tenderit ishte caktuar zyrtari i cili kishte përgatitur specifikat.
“Në procedurën e prokurimit “Blerja e pajisjeve medicinale për DSHB” vlera e kontratës 32,340 euro mungon vendimi nga ZKA për caktimin e menaxherit te kontratës, siç kërkohet me nenin 61.15 të RrUOP-së. Ndarja jo e duhur e detyrave, mungesa e analizave gjatë përgatitjes së specifikave dhe mungesa e vendimit nga ZKA për caktimin e menaxherit të kontratës tregojnë një kujdes jo të duhur të akterëve të involvuar në mbarëvajtjen e proceseve të prokurimit”, thuhet në raportin e auditorit.
Auditori ka konstatuar se ndarja jo e duhur e detyrave, konfuzioni rreth aplikimit të çmimeve pas pikës dhjetore dhe mungesa e vendimit për menaxher të kontratës tregon se kontrollet ishin jo efektive ne proceset e prokurimit.