Bashkimi Evropian në emër të 27 vendeve anëtare ka lëshuar një komunikatë paralajmëruese për Kosovën e Serbinë. Të de-përshkallëzohet situata, të pezullohen operacionet policore në afërsi të ndërtesave të komunave në veri, kryetarët të zhvendosen në objekte të tjera, të shpallen sa më parë zgjedhjet e reja atje, të ndalet retorika përçarësi, të koordinohen veprimet, të filloj pa kushte puna për themelimin e Asociacionit, janë vetëm disa nga kërkesat e BE-së, ndryshe siç thuhet aty do të ketë pasoja negative.
Kjo komunikatë që paralajmëron masa ndaj Kosovës e Serbisë, fillon me dënimin në termat më të ashpër për aktet e dhunshme kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit e mediave në Kosovë.
“Bashkimi Evropian dënon në termat më të ashpër aktet e dhunshme kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna mund të ishte shmangur dhe duhet shmangur në të ardhmen.
Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm pas misionit të NATO-s KFOR dhe misionit të BE-së EULEX në përmbushjen e mandateve të tyre përkatëse”, thuhet aty.
Tutje në komunikatë jepen “udhëzime” se si duhet të veprohet në vazhdim, si dhe paralajmërohen pasojat negative.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të de-përshkallëzuar, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht.
Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative.”
Gjithash BE kërkon nga Kosova, t’i pezullojë operacionet policore afër ndërtesave komunale në veri të vendit, të zhvendosen kryetarët në objekte të tjera e të shpallen sa më parë zgjedhjet e jashtëzakonshme, ku kërkohet pjesëmarrje gjithëpërfshirëse.
Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo shkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje.
BE gjithashtu ka shprehur shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe, si dhe ka kërkuar që palët të përfshihen në Dialog, duke përmendur fillimin menjëherë e pa kushte për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
“Ne shprehim shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe.
Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri, siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.”