Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e shpiku lajmin e rrejshëm për “thikat mbi hartën e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë”, sot nga Kuvendi i Kosovës ka kërkuar prej qytetarëve që të kenë kujdes nga dezinformimi.
Ai ka thënë se është rritur ndërhyrja e Rusisë dhe Kinës në media, shkruan Demokracia.com.
Kurti ka thënë se qytetarët duhet të informohen vetëm nga komunikatat e Policisë së Kosovës dhe organet e tjera të sigurisë.
“Tash Parlamenti Evropian në raportin për Kosovën muajin që lamë pas, tek pjesa e demokracisë dhe sundimit të ligjit, pika 29, na u tha që është i shqetësuar për rritjen e ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në formën e fushatave të dezinformimit dhe keqinformimit të organizuara nga disa aktorë, veçanërisht nga Rusia dhe Kina. Andaj të gjithë qytetarët e Republikës, të gjithë zyrtarët e shtetit, të gjithë përfaqësuesit e popullit, i lus të kenë kujdes se ku, kur dhe si informohen. Përcjellni komunikatat e Policisë së Republikës, aty e keni të vërtetën. Për gjendjen në terren, deklaratat që lëshohen nga organet e sigurisë janë ato që janë edhe të sakta edhe të vërteta.”, tha Kurti sot