Sot në Kosovë ka mbërritur Zëvendës Sekretari Gjeneral për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Përbashkët i Bashkimit Evropian, Charles Fries, pas tensioneve në veri të vendit.
Për vizitën e tij ka lajmëruar shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili edhe e ka pritur atë.
“Kënaqësi mirëpres Zëvendës Sekretarin Gjeneral Charles Fries për vizitën e tij në Kosovë. Diskutuam zhvillimet politike, çështjet e sigurisë dhe agjendën europiane të sigurisë së Kosovës”.
Shefi i BE-së tha se zyrtari evropian për siguri do të takohet edhe me krerët institucionalë të Kosovës.
Ndryshe, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, dje u kërkoi autoriteteve të Kosovës dhe protestuesve që “menjëherë dhe pa kushte të de-përshkallëzojnë situatën”.
Diplomatë perëndimorë dhe udhëheqës institucionesh dënuan dhunën në Zveçan, ku grupe protestuesish serbë u përplasën dje me forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe për pasojë 30 ushtarë u plagosën, ashtu si edhe dhjetëra protestues.
Tensionet në veri u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës hyri me forcë në komunat me shumicë serbe: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për të instaluar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.
Autoritetet e Kosovës fajësuan strukturat ilegale serbe për dhunën në veri, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bëri përgjegjës kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Kosova që të mos ndërmarrë asnjë masë për hyrjen me forcë në ndërtesat e tri komunave.