Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili u betua në objektin e Zyrës komunale për komunitete në fshatin Çabër, tha se do të shkojnë në objektin e Komunës së Zubin Potokut.
Ai tha se të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti i tij.
Pas betimit, Zeqiri tha se është kryetar me kompetenca të plota kushtetuese dhe se do ta zbatojë ligjin e Kosovës në formën më të mirë të mundshme,
“Nuk do të thotë sot apo nesër, mirëpo do të shkojmë në Komunë të Zubin Potokut, do të jenë të gjithë objektet që i takojnë qytetarëve dhe komunës do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti. Nuk e shoh edhe aq shumë të rëndësishme ku dhe mbahet betimi, e shoh të rëndësishëm që së shpejti do të jenë në posedim, të gjithë at zyre dhe dikasteret do të drejtohen me ligjet e Republikës së Kosovës”, tha ai kur u pyet se kur do të shkojë në objektin e Komunës së Zubin Potokut.
Ai tha kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore kanë kompetenca të plota kushtetuese.
“Ne jemi kryetarë me kompetenca të plota kushtetuese mirëpo do të jemi në harmoni të plotë me të gjithë faktorët relevantë që janë, edhe në komunë por edhe në qeverisje, unë do të zbatoj ligjin në formën më të mirë të mundshëm…Deri më tani mund të themi se marrëdhëniet etnike mes neve janë të mira, do të përpiqemi t’i bëjmë të shkëlqyera”, tha ai.
Ndërsa, i pyetur se cilat do të jenë vendimet e para që do t’i marrë, Zeqiri tha se është në përpjekje të shtrijë komunikimin me shumicën serbe në këtë komunë.
“Unë dhe kabineti im jemi në përpjekje të shtrijmë një komunikim me shumicën serbe, meqenëse dihet situata e bojkotit, jemi të hapur për të gjithë ata profesionistë të na bashkohen në kabinetin qeverisës, jam në pritje edhe një kohë të shkurtë do të presim do të ofertojmë, jemi të hapur, ani pse ndoshta gjatë procesit zgjedhor kanë bojkotuar, mirëpo ne jemi të hapur sikur të ishim bashkë të votuar, uroj të kemi në kabinetin tim shumicën e drejtimit të dikastereve ta drejtojnë profesionistë të shumicës serbe, ashtu qysh edhe neve i kemi raportet etnike, po flas këtu si pakicë, unë uroj që një shumicë të dikastereve të drejtojnë serbët”, tha ai.
Zeqiri është kryetari i dytë që u betua pas zgjedhjeve të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, pas betimit të kryetarit të veriut të Mitrovicës, Erden Atiq.
Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.
Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.