Gjenden mbetje mortore në “Mati 1”, dyshohet të jenë të një shqiptari të zhdukur gjatë luftës – vazhdojnë kërkimet edhe për një trup tjetër

Të hënën e 22 majit, janë gjetur mbetje mortore të një personi në varrezat e lagjes “Mati 1”, në Prishtinë, mbetje këto të cilat dyshohet se i takojnë luftës së fundit në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur.

“Kemi pasur këto ditë gërmime edhe në disa lokacione të tjera dhe jemi duke i zhvilluar gërmimet në varrezat e Matiçanit. Kemi hasur në mbetjet mortore të një personi që dyshohet se i takojnë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Gara.

Ai ka thënë se janë në kërkim edhe të mbetjeve mortore të një trupi tjetër që dyshohet të gjendet në të njëjtin lokacion.

“Do të bëhen analizat e AND-së për të parë nëse këto mbetje janë të luftës së fundit. Jemi duke kërkuar edhe mbetjet e personit të dytë që dyshohet se gjendet aty”.

Sipas tij, gërmimet do të vazhdojnë ditëve në vijim.

Ndryshe, ekipet mjekoligjore, në mëngjesin e së enjtes së 11 majit, kanë nisur gërmimet në varrezat e Muhaxherëve në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, pas dyshimeve për mbetje mortore për dy trupa të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Deri tani ka përfunduar gërmimi i një lokacioni të vogël dhe ka nisur i dyti, ndërsa pritet që gjatë ditës të gërmohen edhe dy lokacione të tjera.

Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Ditor Haliti, duke shtuar se këto gërmime po bëhen me urdhëresë të gjykatës.

Ai tha se deri në këto momente nuk kanë hasur në ndonjë gjetje, por po presin deri në fund të përfundimit të gërmimeve.

Në Kosovë ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës se fundit. Më 2 maj në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, është arritur dakordim për Deklaratën e Personave të Zhdukur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *