Borrell kërkon zbatim të shpejtë të marrëveshjeve Kosovë-Serbi: Të ndalen tensionet dhe provokimet

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell tha sot, pas seancës së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, se zbatimi i shpejtë dhe i plotë i të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rrugë, për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Diplmati spanjoll nënvizoi se bashkëpunimi me Rusinë nuk është në përputhje me rrugën evropiane, raporton Paparaci.

Në një konferencë për media, kryediplomati evropian e përsëriti se BE-ja ka një rol të madh në arritjen e marrëveshjes mes dy palëve “që kanë qenë në konflikt vitet e fundit dhe se BE-ja dëshiron t’i mbështesë në rrugën e normalizimit”.

Ai theksoi se tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të ndalen, dhe mungesa e konstruktivitetit dhe atmosfera negative duhet të kthehet, sepse anëtarësimi në BE kërkon bashkëpunim, duke thënë se “vendet që dikur kanë qenë në konflikt duhet të bëhen fqinjë, miq dhe partnerë dhe të jetojnë së bashku”.

Prandaj, ne duam një zbatim të shpejtë dhe të plotë të marrëveshjeve të arritura, sepse kjo është e vetmja mundësi për normalizimin e marrëdhënieve. Të jesh anëtar i BE-së do të thotë të jesh i gatshëm të bashkëpunosh dhe të veprosh si një fqinj i mirë, duke kapërcyer të gjitha problemet nga e kaluara”, tha Borrell.

Sipas tij, ministrat e jashtëm të BE-së takohen rregullisht me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor dhe se beson se kjo mund të ndodhë më shpesh.

Ai theksoi se tema e bisedës ishte ndikimi rus. Shtoi se është mirëpritur përkushtimi strategjik i disa vendeve, por ka ende vende që nuk e kanë harmonizuar politikën e jashtme me BE-në.

Po ashtu, ai përmendi Serbinë si shembull dhe shtoi se BE-ja ka paralajmëruar vendet që nuk e kanë harmonizuar politikën e tyre të jashtme se marrëdhëniet e ngushta me Moskën nuk janë në përputhje me procesin e anëtarësimit dhe dëmtojnë interesat kombëtare.

Borell u shpreh se BE-ja dëshiron përparim në procesin e zgjerimit dhe se tani është e nevojshme të përfitohet nga dinamika që Ukraina ka inkurajuar me përparimin e saj.

“Dërguam një mesazh të fortë se tani është koha që vendet e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat, të harmonizohen me standardet evropiane dhe të përgatisin shoqëritë e tyre për anëtarësim. Kjo është një mundësi unike që duhet shfrytëzuar”, shpjegoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *