Këto ditë është riaktivizuar çështja e Fondit Sovran, pas një heshtjeje relativisht të gjatë që nga inicimi i tij.
Më 7 maj u mbajt konferenca për themelimin e Fondit Sovran. Konsultimet publike për Projektligjin për Fondin Sovran tashmë kanë përfunduar dhe shpejt do të miratohet edhe në Qeveri.
Fondi Sovran vlerësohet projekti më i madh ekonomik ndonjëherë në vend. Kryeministri Albin Kurti, me një pjesë të stafit të tij, këto ditë kanë zënë të preokupohen më shumë me këtë Fond, kanë marrë pjesë në prezantimin e Fondit Sovran para përfaqësuesve të organizatave dhe bizneseve, ndërsa Besnik Pula, kryetari i Komisionit për hartimin e koncept-dokumentit për Fondin Sovran, nëpërmjet paraqitjeve publike (intervistave në mediet e vendit) ka promovuar këtë asociacion duke shpërfaqur dhe duke bërë publike hollësi rreth rrolit që do të ketë Fondi Sovran, rreth menaxhimit dhe organizimit të pritshëm të tij, kompetencave dhe funksionimit të tij si dhe rreth objektivave e ndërlidhjes së bizneseve private me këtë Fond – shkruan Neutral.
Por, cili do të jetë roli kryesor i Fondit Sovran?
Besnik Pula ka njoftuar se ky Fond do të operojë si korporatë në pronësi të Republikës së Kosovës dhe jo si agjenci publike apo entitet tjetër i pavarur. Ai ka shtuar se ndërmarrjet të cilat do të kalojnë në këtë Fond, do të duhet t’i plotësojnë disa kritere si evitimi i humbjeve e menaxhimi i nivelit të kredive, si dhe të kenë një plan strategjik komercial.
“Fondi Sovran do të operojë si korporatë, do të jetë i regjistruar si shoqëri aksionare në pronësi të Republikës së Kosovës, nuk do të jetë agjenci publike ose entitet tjetër i pavarur. Në koncept-dokument janë propozuar disa ndërmarrje dhe kriteret për llojet e ndërmarrjeve që mund të kalojnë te Fondi. Kushti i parë është që ndërmarrja të ketë karakter komercial, të operojë në një treg. Ka kritere edhe të performancës së ndërmarrjeve, kërkohet që në minimum ndërmarrjet të evitojnë humbjet, të menaxhojnë nivelin e kredive dhe të kenë një plan strategjik-komercial”, ka thënë ai të enjten në një nga televizionet e vendit.
Sipas professor Besnik Pulës, ndërmarrjet publike të cilat do të kalojnë nën menaxhimin e këtij fondi, fillimisht do t’i nënshtrohen një procesi të ristrukturimit, dhe disa prej këtyre ndërmarrjeve tashmë kanë filluar ristrukturimet. Sipas tij, ndërmarrjet kryesore të cilat do të kalojnë në këtë fond janë KEK-u, Telekomi, Posta e Infrakosi.
“Parashihet që ndërmarrjet të kalojnë një proces ristrukturimi para kalimit në Fond. Disa ndërmarrje kanë filluar ristrukturimet dhe janë profitabile, p.sh KEK-u dhe Telekomi janë në gjendje të mirë dhe profitabile. Ndërmarrjet si Infrakosi janë në gjendje më të rëndë dhe kanë nevojë për investime”, është shprehur ai.
Besnik Pula, kryetar i Grupit Punues për hartimin e draftit përfundimtar të Koncept Dokumentit për Themelimin e Fondit Sovran dhe profesor në Universitetin Virginia Tech në ShBA, njëkohësisht këshilltar i kryeministrit Kurti për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare, ka folur që në nismë të këtij Fondi ka thënë se “Modeli ynë (i Grupit Punues) parasheh që Fondi Sovran të veprojë si korporatë, pra një shoqëri aksionare, me ndërvarësi strategjike por pavarësi të plotë operacionale nga Qeveria. Ai do të jetë nën pronësinë e plotë të Republikës së Kosovës dhe i mbikëqyrur nga një bord profesional i emëruar nga Kuvendi.
Së pari, sipas Besnik Pulës, Fondi do të adresojë një problem fundamental në formën e organizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Ky problem është mungesa e mekanizmit për shtetin e Kosovës që të luajë me efektivitet rolin e aksionarit. Ndërmarrjet publike të Kosovës, veçanërisht ato të nivelit qendror dhe që kanë karakter komercial në aktivitetin e tyre (siç janë KEK-u, Telekomi, Posta, Trepça etj.), ka shpjeguar Besnik Pula, nominalisht punojnë dhe veprojnë si njësi të pavarura korporative. Ato, me një fjalë, janë firma që duhet të dëshmojnë sukses komercial në treg. Por, në vend të këtij orientimi, kemi parë zhvillimin e një marrëdhënie patologjike midis aksionarit dhe ndërmarrjeve në fjalë. Kosova është pronare e ndërmarrjeve publike, por ato ndërmarrje sillen sikur janë pa pronar. Kjo ka rezultuar drejtpërdrejtë jo vetëm në performancë jo të mirë financiare, mungesë planifikimi strategjik, dështime komerciale dhe devalvim asetesh, por edhe në keqmenaxhimin, keqpërdorimin dhe shfrytëzimin e tyre në format nga më të paskrupulltat për përfitime personale nga klane të caktuara politike e parapolitike.
Ndërkaq, ndërmarrjet i drejtohen shtetit vetëm kur janë buzë kolapsit, kur mungojnë mjetet për investime të punës bazike dhe sidomos kur arkat e tyre janë aq bosh sa që nuk mund t’i mbulojnë as rrogat e punëtorëve. Pra, shteti i Kosovës nuk e ushtron funksionin e aksionarit, por thirret ta luajë rolin e kreditorit dhe subvencionuesit kujdestar sa herë ndërmarrjet i kanë punët keq. Kjo është marrëdhënia patologjike në fjalë. Kjo pastaj vazhdon ciklin e keqmenaxhimit, devalvimit dhe keqpërdorimit, ndërsa në vend të përfitimeve, për shtetin e Kosovës këto ndërmarrje janë barrë fiskale, vë në dukje në këtë intervistë Besnik Pula.
Fondi Sovran adreson këtë problem strukturor duke krijuar një entitet që nuk ka mandat tjetër përveç se të luajë rolin e aksionarit dhe të përfaqësojë direkt dhe pa ndërmjetësim interesin financiar të shtetit të Kosovës. Pra, “i shmangemi rolit të aksionarit pasiv, ndërsa nuk pritet që roli i aksionarit të luhet nga ndonjë zyrë në ndonjë ministri, as nga ndonjë ministër, të cilët në fund të fundit nuk mund ta kenë atë lloj mandati, sepse mandati i tyre është politik.
Fondi do të jetë korporatë e specializuar financiare, e menaxhuar në formë profesionale, e cila do të ketë rol kryesor përfaqësimin dhe ndjekjen e këtij interesi financiar, në emër të shtetit, pra në emër të një interesi të përgjithshëm publik, për zhvillim ekonomik dhe për sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale të shtetit”, shpjegon në vazhdim Besnik Pula.
Sipas tij, Fondi nuk është paraparë të jetë njësi buxhetore e qeverisë e as agjension qeveritar, por korporatë autonome financiare, që menaxhon investime dhe asete. Përbërja e këtyre aseteve fillon me ndërmarrjet publike, por nuk përfundon aty, sepse Fondi me strategjitë investive do të ketë mundësi të zgjerojë dhe diversifikojë portfolin e vet si në aspektin sektorial ashtu dhe në llojin e aseteve që investon. Këto investime do të bazohen në orientimet zhvillimore që i përcakton Qeveria, por zbatohen sipas strategjive investuese të përcaktuara nga vetë Fondi. E dyta, Pula thotë se “me parashikimet tona Fondi mund të luaj një rol të fuqishëm në ekspanzionin e sistemit financiar të vendit.
Sipas tij, Fondi mund të stimulojë në formë direkte emetimin e letrave me vlerë, siç janë aksionet dhe letrat e borxhit (bonot), me bazë në ndërmarrjet e mëdha të Kosovës.
“Kjo pastaj vlerësohet se hap udhën jo vetëm për joshjen e një baze të gjerë të investorëve të jashtëm në ndërmarrjet e Kosovës, por edhe për ndërtimin e përgjithshëm të sektorit korporativ në Kosovë, përfshirë atij privat dhe sidomos atij të bazuar në eksporte”, ka sqaruar tutje, Besnik Pula.
E treta, sipas tij, Fondi përveç se rritë mundësinë për gjenerimin e investimeve të brendshme e të jashtme në Kosovë, krijon një levë për rritjen e pjesëmarrjes së kapitalit kosovar në tregjet ndërkombëtare financiare. Gjatë prezantimit të Fondit Sovran, që u bë këto ditë, para përfaqësuesve të organizatave dhe bizneseve (prezantimi është bërë nga drejtuesit e grupit punues të Koncept-dokumentit për Fondin Sovran, profesor Besnik Pula dhe Koodinatores së Grupit Punues Juridik të Fondit Sovran, Rrezarta Pllana), është theksuar se “ndërmarrjet publike së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në këtë Fond.
“Objektivat, organizimi dhe ndërlidhja e bizneseve private me Fondin Sovran, ishin çështje kryesore që u trajtuan në këtë tryezë. Ndërmarrjet publike së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. 170 shtete të botës, nga rreth 200 sa janë gjithsej, tashmë kanë fonde sovrane. Trendi më i lartë i formimit të fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000. Dy dekada pas, Kosova do të jetë pjesë e shumicës së botës dhe e trendit global”, u tha me këtë rast.