Policia e Kosovës e ka arrestuar sot rreth orës 12:00 një 72-vjeçar serb në pikën kufitare të Jarinjës.Veton Elshani, zëdhënës për media në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut tha se i njëjti kishte urdhërarrest nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Elshani, ka hedhur poshtë pretendimet e Petar Petkoviqit, se arrestimi i tij, është bërë mbi arsye politike, për të cilat thotë se edhe i është ankuar ndërmjetësuesit, Miroslav Lajçak.
“I dyshuari kishte urdhërarrest për veprën penale ‘shpërdorim i pasurisë’. Të arrestuarin e kemi dërguar në stacionin policor në Drenas për intervistim pasi urdhërarresti ishte lëshuar me kërkesën e Drenasit”.
“Pas intervistimit i dyshuari është liruar”, ka thënë Elshani.
Petkoviq gjithashtu kishte deklaruar se zyra për Kosovën në qeverinë serbe e ka angazhuar një grup të avokatëve për t’u marrë me rastin në fjalë
“Zyra jonë angazhoi menjëherë ekipin e avokatëve mbrojtës dhe personalisht kontaktova familjen për të ofruar çdo lloj ndihme shtesë dhe për çdo gjë e informova drejtpërdrejt Miroslav Lajçak-un”.
“Ai është arrestuar si një formë kërcënimi dhe hakmarrjeje nga institucionet e Kurtit”, ka thënë Petkoviq.