Të shtunën në mbrëmje lagjja ‘Përroi i njelmët’ në Prishtinë është trazuar nga të shtënat me armë që u dëgjuan nga shtëpia e një familjeje. Këtë herë, ka ndodhur një rast jo fort i zakonshëm në vendin tonë, familja është konfrontuar me hajnat që i kapën në flagrancë në shtëpi. Policia ka intervenuar teksa ka edhe të arrestuar për rastin.
Hajnat nuk arritën ta kryenin qëllimin e tyre, vjedhjen, por u ballafaquan me vëllezërit të cilët i zunë pasi u futën në shtëpinë e tyre dhe aty plasi sherri, ku u përdorën edhe armët.
Sipas informacioneve të para, ka pasur shkëmbim zjarri në mes të hajnave dhe anëtarëve të kësaj familjeje, të cilët tentuan që t’i qëronin hesapet vet me të dyshuarit dhe të mos e denonconin rastin menjëherë në Polici.
Për pasojë, akoma nuk dihet nëse ka të lënduar, por Policia ka arritur të intervenojë, me ç’rast janë arrestuar disa persona, që dyshohen të jenë përfshirë në këtë rast.
Pas ndërhyrjes së njësive përkatëse policore, janë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes dhe më pas janë kryer procedurat e tjera nga ana e Policisë.
E gjithë ngjarja ndodhi tek familja Krasniqi, djemtë e së cilës i ka zënë sherri me Policinë, pas incidentit që ndodhi në shtëpinë e tyre, ku u kapën me hajnat.
Sipas informacioneve të para, me rastin e intervenimit nga ana e Policisë, është sekuestruar një arsenal armësh e municioni, që u gjetën nga zyrtarët policorë, pas ndërhyrjes në shtëpinë e tyre, ku edhe ndodhi ngjarja.
Dëshmitë që u gjetën në shtëpinë e familjes Krasniqi do të përdoren si prova materiale për rastin, teksa disa persona janë vënë në pranga të Policisë, nën dyshimin për përfshirje në këtë rast.
Pas ndërhyrjes së njësive përkatëse policore, janë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes dhe më pas janë kryer procedurat e tjera.