Armando Broja vazhdon fazën e rehabilitimit pas dëmtimit të rëndë që pësoi në gju në fundin e vitit 2022 dhe që e detyroi që t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale. Tifozët shqiptarë presin me padurim që ta shohin përsëri në fushën e lojës lojtarin i cili ka treguar vazhdimisht me foto dhe video përgatitjet intensive që po bën për të lënë pas këtë dëmtim.
Albi Shquti, një tifoz shqiptar, ka pyetur shokun e tij të skuadrës, Pierre Emerick Aubameyang se si është situata e Brojës.
Futbollisti i Chelsa ka dhënë sinjale mjaft optimiste për 21-vjeçarin i cili pritet që në fazën përgatitore të rishfaqet përsëri nën urdhrat e trajnerit të ri të bluve londinezë.
“Ai po punon shumë dhe po shkon mirë. Ai do të jetë shpejt në maksimum dhe po pres me padurim ta shoh”, shkruante Aubameyang si përgjigje për situatën e sulmuesit shqiptar.