“Erblini ishte plot humor e energji pozitive…”, ky është i riu që vdiq në rrethana të dyshimta te Hotel Grand

Gazeta Sinjali raportoi të dielën për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur te Hotel Grandi në Prishtinë, ku një 30-vjeçar ka vdekur në rrethana të dyshimta. Policia e ka konfirmuar rastin ndërkohë që është bërë e ditur se vdekja e të riut është cilësuar si e dyshimtë. I riu, Erblin Shala dyshohet se u rrëzua në diskon “13 Rooftop” në këtë hotel dhe fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.

Edhe Innovation Centre Kosovo ka njoftuar për vdekjen e Erblinit, i cili ishte mjeshtër i ‘Motion Design’.

“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të mikut dhe anëtarit të komunitetit tonë, Erblin Shala. Erblini ishte mjeshtër në Motion Design, drejtoi kompani në fushën e dizajnit, një djalosh plot humor dhe energji pozitive, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën tonë.

I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve nga Gjakova dhe Prishtina.

Të qoftë i lehtë dheu, Erblin!”, thuhet në njoftim. 

image 101
image 101

Nga Policia kanë njoftuar se trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ku do të konstatohet shkaktari i vdekjes.

“Sot rreth orës 06:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në hollin e një Hoteli në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit mashkull 30 vjeç.

Aktualisht policia  ka nisur hetimin e rastit si vdekje e dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, ka bërë të ditur Policia për Sinjalin. 

Ndryshe, redaksia ka kontaktuar edhe diskon “13 Rooftop”, mirëpo të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *