Dhuna në familje, kushtet e jetesës, rrethanat ekonomike, e depresioni shpesh janë vlerësuar shkaktarë që kanë çuar drejt vetëvrasjes e tentimit për ta kryer këtë akt. Familjet janë ato që i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë familjarët, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe dje në një familje në Sekiraqë të Podujevës, ku një 19-vjeçar deshi t’i jap fund jetës së tij, duke tentuar që të varet në garazhin e shtëpisë. Për pasojë, të riut i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe është dërguar në spital.
Kështu kanë bërë të ditur burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës, me ç’rast kanë njoftuar se viktima është dërguar në QKUK në orët e pasdites.
Sinjali mëson se Policia është njoftuar për rastin nga spitali dhe më pas një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes për të marrë informacionet e para se si ka ndodhur ngjarja.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vetëvrasje në tentativë’ dhe kanë nisur hetimet që zbardhin motivet dhe rrethanat e rastit.