Zyra e Presidencës ka dhënë tender për blerjen e disa mobilieve. Edhe kësaj radhe, fituese e tenderit del të jetë kompania “Mobelland”, kompani kjo që vazhdimisht merr tenderë nga Zyra e Kryeministrit dhe ministritë e Qeverisë Kurti.
Përgjatë këtyre muajve, kompania “Mobelland” nga Suhareka dhe kompania e djalit të pronarit të kësaj kompania, “SRAHEP”, kanë marrë vazhdimisht tenderë për furnizim me mobilje nga zyra e Kurtit dhe ministritë e Qeverisë Kurti.
Për furnizim me mobilje për nevojat e ZPRK-ës për aktivitete protokollare, kjo kompani do të përfitojë plot 8 mijë e 496 euro.
Zyra e presidentes Osmani ka dhënë kontratë për blerjen e 11 karrigeve dhe 5 tavolinave të reja protokollare.
Sipas dosjes së tenderit të publikuar në KRPP, zyra e Osmanit do të porosisë një karrige poltrone model Marie art. 8537A, me strukturë druri finiture flete floriri e vjetruar me M1473/1 e bardhë me dekor, dimensionet 71x76x111 H.
Ndërsa, 10 karrige të tjera janë poltrona model Virgilio. Druri finiture Avorio dhe me copë M1473/1 e bardhë me dekor, dimensionet 65x63x78 H.
Po ashtu, 5 tavolinat duhet të jenë rrumbullake, model Brianzolo me dru finiture P18 Avorio spazzolato, dimensionet Ǿ 60×55 H.
Gjatë këtyre muajve, zyra e kryeministrit Kurti dhe ministritë e kësaj qeverie i kanë dhënë tendere vazhdimisht kompanisë “Mobelland” për blerjen e mobilieve.
Ashtu siç mund të shihet në ARBK, pronar i kompanisë “Mobelland” është Rizah Morina, ndërsa pronar i “SRAHEP SH.P.K.” është djali i tij, Ardian Morina.