Mërgimtarit ia bëjnë me ‘gjak’ pushimin në Gjilan, një grua ia sulmon djalin 6-vjeçar dhe ia vjedh…

Ditë më parë mori rrugën e largët nga Zvicra për të kaluar pushimet e verës në vendlindjen e tij në Gjilan. Por mërgimtarit i ndodhi e papritura 4 ditë më parë, kur djali i tij i mitur u sulmua në pikë të ditës nga dy persona, të cilët dyshohet se ia morën nga qafa një zinxhir të arit, raporton Gazeta Sinjali.

Babai i 6-vjeçarit ka rrëfyer gjithë ngjarjen për Gazetën Sinjali, ku ka bërë të ditur se gjithçka ka ndodhur teksa djali i tij po luante me bashkëmoshatarët në rrugicën afër shtëpisë.

Ai tha për Sinjalin se një grua rreth të tridhjetave e cila jeton afër shtëpisë së tyre bashkë me të dashurin e saj, e kanë ndalur në rrugë djalin dhe ia kanë marrë zinxhirin, vlera e të cilit është rreth 2 e 200 mijë euro.

Sipas tij, gjatë kohës që po tentonin t’ia hiqnin zinxhirin nga qafa, dy të dyshuarit i kanë shkaktuar lëndime të dukshme fëmijës, por që babai thotë se nuk ka pranuar tretman mjekësor.

Babai i të miturit tha se njeh personat e dyshuar, madje gruan e identifikoi edhe me emër, por që të njëjtit nuk janë kapur ende, ndonëse rasti është denoncuar në Policinë e Kosovës.

Ndërkohë Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili tha se rasti është denoncuar nga nëna e të miturit.

Policia dhe njësiti i hetimeve e kanë marrë rastin dhe po punohet intensivisht që të dihet e vërteta e rastit”, tha Hashani për Sinjalin.

Po ashtu Sinjali ka siguruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë që monitorojnë zonën ku ka ndodhur rasti, të regjistruara më 3 korrik.

/GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *