Me zgjedhjet qeveritare në Turqi shumë pranë, UEFA ka nisur diskutimet me Federatën Portugeze të Futbollit për të zhvendosur finalen e madhe të UEFA Champions League, nga Stambolli, në Lisbonë, të paktën kështu raportohet nga prestigjiozia britanike “Daily Mail”.
Sipas raportimeve të këtyre të fundit, UEFA i trembet trazirave të mundshme që mund të kaplojnë Turqinë për shkak të zgjedhjeve presidenciale të 14 majit, raundi i dytë i të cilave pritet të jetë më 28 maj dhe finalja e Champions League, vetëm 2 javë më vonë më 10 qershor.
UEFA deri më tani ka shtyrë 2 herë finalet e Champions League, nga Stambolli. Fillimisht në vitin 2020, organi më i lartë i futbollit në Evropë vendosi që të gjitha ndeshjet nga faza çerek-finale deri në finalen e madhe të zhvilloheshin në Lisbonë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Një vit më vonë, UEFA zhvendosi sërish finalen e Champions League, mes Manchester City e Chelsea, nga Stambolli në Porto, pasi Turqia ishte në “listën e zezë” të vendeve ku britanikët mund të udhëtonin, sërish për shkak të pandemisë.
Mirëpo, kësaj here nuk ndikon pandemia. UEFA filloi të kishte shqetësimet e para që pas tronditjeve sizmike në rajonin e Gaziantepit në fillimin e muajit shkurt dhe tashmë frika e përplasjeve të mundshme për shkak të zgjedhjeve presidenciale.
Megjithatë, Turqia nuk është i vetmi vend që mund të humbasë një finale futbollit, me Federatën Greke të Futbollit, që kërkon një vend tjetër për të organizuar finalen e Kupës së Greqisë mes AEK-ut të Athinës dhe PAOK, përballje që fillimisht u mendua se do të zhvillohej në Shqipëri e më pas doli dhe opsioni i Polonisë, por deri më tani Federata Greke nuk ka marrë asnjë vendim për përcaktimin e vendit organizator.