Komuna e Graçanicës s’u jep leje ndërtimi serbëve që përfituan nga Ministria për Komunitete

Për Valentina Parliqin nga fshati Dobrotin, Dejan Aksiqin nga Lipjani dhe për nënën vetushqyese Snezhana Grbiq nga Gushterica e Ulët, Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës së fundi ka miratuar ndërtimin e shtëpive. Megjithatë, ata nuk mund të marrin leje ndërtimi nga Komuna e Graçanicës. Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, konsideron se kjo është shkelje e ligjit nga Komuna e Graçanicës.

Çifti Valentina Parliq dhe Sërgjan Guxhiq jetojnë me qira në fshatin Dobrotin të Graçanicës me tre fëmijët e tyre. Vitet e fundit kanë aplikuar në shumë thirrje për të ndërtuar shtëpi. Hera e fundit ishte rreth tre muaj më parë në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Së fundi kanë marrë përgjigje se kjo Ministri do t’u ndërtojë një shtëpi prej 75 metrash katrorë, por Komuna e Graçanicës ka refuzuar kërkesën e tyre “për dhënien e parakushteve për ndërtimin e objektit banesor” me arsyetimin se parcela e tyre ku planifikojnë të ndërtojnë një shtëpi nuk ka qasje në rrugë publike.

Mirëpo, në një lokacion ku komuna pretendon se nuk ka rrugë publike, një shtëpi është ndërtuar dhjetorin e kaluar me lejen e Komunës së Graçanicës.

“Problemi është rruga publike, duhet të siguroj një rrugë publike, kështu që nuk më është e qartë dhe i pyeta se si ka rrugë publike për këtë shtëpi që po ndërtonte Ministria dhe nuk mu përgjigjën”, tha Sërgjani, bashkëshorti i Valentina Parliqit, për Zërin e Amerikës në gjuhën serbo-kroate, transmeton Klankosova.tv.

Zëri i Amerikës ka kërkuar përgjigje nga autoritetet në komunën e Graçanicës lidhur me këtë dhe raste të tjera të ngjashme.

Drejtoresha e Departamentit për Planifikim Urban dhe Mbrojtjen e Mjedisit, Aleksandra Gjekiq, ka konfirmuar se Komuna e Graçanicës ka lëshuar leje për ndërtim në këtë lokacion vitin e kaluar, por në bazë të kërkesës së paraqitur nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), në përputhje me memorandumin e nënshkruar në mes të Komunës së Graçanicës, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe IOM-it.

Mirëpo, në përgjigjen e Gjekiqit nuk thuhet se Valentina Parliqit i është refuzuar leja e ndërtimit për shkak se aty nuk ka rrugë publike, siç thuhet në vendimin që ajo ka nënshkruar disa ditë më parë, por thekson arsye të tjera:

“Qytetarja Valentina Parliq ka paraqitur kërkesë për lëshimin e parakushteve për ndërtimin e objektit banesor në procedurë të rregullt dhe pa asnjë dëshmi se ndërtimi i objektit (shtëpisë familjare) financohet nga Ministria apo ndonjë organizatë tjetër. Në përputhje me atë kërkesë zbatohet një procedurë e rregullt, si për qytetarët e tjerë”, ka thënë Gjekiq në një deklaratë me shkrim për Zërin e Amerikës.

Ajo thekson se kur bëhet fjalë për ndërtimin e shtëpive “përmes programit të Ministrisë, kërkesat dhe dokumentacioni i nevojshëm janë dorëzuar gjithmonë nga organizata e IOM-it në përputhje me memorandumin në fuqi, i cili nuk ekziston në këtë rast të veçantë”. Ajo gjithashtu shton se i vjen keq që në rastin e Valentina Parliqit procedura shkoi në një drejtim tjetër për shkak të kësaj.

Ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq tha për Zërin e Amerikës se Komuna e Graçanicës në këtë rast e pranon vetë se po e shkel ligjin, sepse sipas tij ligji është i barabartë për të gjithë dhe nuk mund të ketë standarde të dyfishta.

Rashiq pyet se si mund të jetë pengesë për ndërtimin e Valentina Parliqit mungesa e rrugës publike, por jo pengesë për shtëpinë që është ndërtuar në dhjetor të vitit të kaluar me leje të Komunës së Graçanicës.

Ai po ashtu thekson se kjo ministri asnjëherë nuk ka pasur memorandum me Komunën e Graçanicës dhe as nuk është i nevojshëm në këtë rast.

“Cili do të ishte thelbi nëse, për shembull, një qeveri qendrore si ne do të kishte një memorandum bashkëpunimi me një komunë të caktuar. Pra, duhet ta bëjmë këtë me të gjithë? Pra, memorandumet nuk kanë ekzistuar kurrë. Ata e thanë memorandumin, sepse dëgjuan diçka që në fakt kanë një memorandum me IOM-in sepse IOM-i e ka kërkuar atëherë që të lehtësojnë disi procedurat. Fjala vjen, asnjëherë nuk ka pasur memorandume të tilla mes Ministrisë dhe një komune të caktuar”.

Pasi komuna ua ndaloi të ndërtonin një shtëpi, Valentina dhe Sërgjani vendosën ta shesin parcelën. “Unë e vura tabelën (në shitje) ditën që u refuzova”.

Dejan Aksiq nga Lipjani kishte planifikuar të jetonte në po të njëjtën rrugë me gruan dhe dy fëmijët e tij. Në vitin 2019, një pjesë të materialit ndërtimor për shtëpinë e ka marrë nga komuna e Lipjanit, e cila punon në sistemin e Republikës së Serbisë, kur pa problem ka filluar ndërtimin – ka ndërtuar themelin dhe disa shtylla. Mirëpo, tani që ka marrë përgjigje pozitive nga Ministria për Komunitete dhe Kthim për kompletimin e shtëpisë, atij i duhet leja nga Komuna e Graçanicës, e cila po ashtu i është refuzuar ditë më parë.

“Më 2019 e kam nisur themelin dhe shtyllat, tani kemi kaluar konkursin e Ministrisë së Kthimit për ndërtimin e shtëpive, por nuk kam leje ndërtimi. Komuna më refuzoi me shpjegimin se ndodhet në zonë bujqësore dhe se çdo lloj ndërtimi është i ndaluar”, thotë Aksiq.

Të pyetur nga Zëri i Amerikës zyrtarët komunalë, se si është e mundur që Aksiq ka filluar të ndërtojë një shtëpi në vitin 2019 pa asnjë problem, dhe tani atij i ndalohet një gjë e tillë, Aleksandra Gjekiq, drejtoreshë e Departamentit të Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, deklaroi:

“Dejan Aksiq nuk ka leje ndërtimi. Nëse ka nisur ndërtimin në vitin 2019, do të thotë se ka vepruar në kundërshtim me ligjin e ndërtimit. Parcela në pronësi të Dejan Aksiqit ndodhet jashtë zonës ku lejohet ndërtimi, sipas planit aktual zhvillimor dhe për këtë arsye nuk lejohet ndërtimi në të. Ne do të veprojmë në përputhje me ligjin për procedurat e mëtejshme në këtë rast”.

Aksiq shprehet se nuk e ka të qartë se si ka mundur të ndërtojë katër vjet më parë, ndërsa sot nuk mundet.

“Askush nuk erdhi, kur e nisëm, e bëmë themelin. Kjo shtëpi (përtej rrugës nga pjesa e tij) është ndërtuar në dhjetor, e njëjta është ndërtuar nga Ministria e Kthimit. Nuk e di, është 10 metra larg, nuk e di kush i ka përcaktuar ato vija, asgjë nuk më është e qartë”, thotë Dejan Aksiq.

Asgjë nuk është e qartë as për nënën vetushqyese Snezhana Gërbiq. Edhe asaj së fundi i është aprovuar kërkesa nga Ministria për Komunitete dhe Kthim për të ndërtuar një shtëpi, por ka nevojë edhe për leje nga Komuna e Graçanicës.

“Kam dorëzuar kërkesë për shtëpi (në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim) dhe është miratuar projekti, por nuk kam marrë leje ndërtimi nga Komuna e Graçanicës. Arsyeja që ata deklarojnë është se deri vitin e kaluar kanë pasur kontratë me Ministrinë, por këtë vit nuk kanë. Nuk e di arsyen, nuk më kanë thënë arsyen e vërtetë”, tha Gërbiq për Zërin e Amerikës.

Ashtu si në Dobrotin, edhe në lagjen e Snezhanës vitin e kaluar Ministria për Komunitete dhe Kthim ndërtoi shtëpi pa problem, thotë ai:

“Si mundet dikush të marrë një leje vitin e kaluar, por jo këtë vit? Ne nuk kemi një përgjigje për këtë, dhe as ata nuk japin një përgjigje të saktë për të gjitha këto”.

Snezhana është me aftësi të kufizuara, ka të meta në dorë dhe në anën e djathtë të trupit. Ajo dhe djali i saj jetojnë me asistencë sociale si qiramarrëse.

“Kam bërë tre operacione, nuk mund të punoj, nuk jam e aftë për punë dhe ata i dinë të gjitha, të gjitha ato shkresa i kam dorëzuar në komunën e Graçanicës. Kam aplikuar edhe për ndihmë të njëhershme, të cilën sigurisht që nuk e kanë miratuar ende. Nuk e di se çfarë po ndodh me këtë, por brenda tre ditësh kam marrë përgjigje nga urbanistika, nuk mund të marr leje”.

Zëri i Amerikës ka marrë një përgjigje nga Aleksandra Gjekiq në lidhje me rastin e Snezhana Gërbiqit.

“Snezhana Gërbiq nuk ka paraqitur kërkesë për leje ndërtimi, por për informacion për parcelën, që është një dallim i madh si ligjërisht ashtu edhe teknikisht. Në bazë të planit aktual zhvillimor, parcela ndodhet në një zonë ku nuk lejohet ndërtimi”, tha për Gjekiq për VOA.

Ajo nuk ka deklaruar konkretisht pse dhe që kur nuk lejohet ndërtimi në zonën ku ndodhet parcela e Snezhana Gërbiqit.

Ndonëse Zëri i Amerikës nuk ka përmendur politikën në pyetjet drejtuar zyrtarëve të komunës së Graçanicës, Gjekiq iu përgjigj pyetjeve konkrete duke thënë se “kjo nuk është temë politike dhe as nuk duhet të zhvillohet më tej në atë drejtim dhe ndoshta të keqpërdoret politikisht”.

Në anën tjetër, ministri Nenad Rashiq po ashtu thotë se “do të donte të besonte se kjo nuk ka të bëjë fare me politikën” dhe se e gjithë kjo nuk është e drejtuar kundër tij, por se megjithatë do të kërkojë nga institucionet kompetente që të përcaktojnë nëse komuna e Graçanicës në këtë mënyrë “mund të jetë duke bërë keqpërdorime me qëllim të revanshizmit politik”.

Në fillim të shkurtit, Ministria për Komunitete dhe Kthim shpalli disa thirrje për ndihmë qytetarëve, duke përfshirë një thirrje për ndërtimin dhe renovimin e objekteve të banimit. Sipas ministrit Rashiq, është planifikuar ndërtimi i rreth 40 shtëpive në mbarë Kosovën për personat e zhvendosur dhe familjet në nevojë sociale. Para disa ditësh, në kuadër të asaj ftese, u vendos gurthemeli i parë për ndërtimin e shtëpisë së familjes Senado Hotoviq në fshatin Dobrushë të Istogut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *