Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, është shprehur se në Kosovë ka ende njerëz që mendojnë se duhet bashkuar me Shqipërinë, e sipas tij, ka edhe një pakicë që mendojnë se duhet që Kosova të ndahet apo bashkohet me Serbinë.
Ai tha se Kosova duhet ta ketë të qartë se çfarë vendi do që të ndërtojë, teksa shtoi se Kosova ka edhe fuqi politike, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka shkaktuar pritje joreale tek njerëzit.
“Ka shkaktuar pritje jo reale tek njerëzit, duke pretenduar se të gjithë të tjerët përpara kanë qenë të padijshëm ose të korruptuar dhe në momentin që vijmë ne e zgjidhim krejt, Lëvizja Vetëvendosje”.
“Tash e kanë parë që nuk është aq e thjeshtë, e kanë parë që është më e komplikuar sepse Kosova nuk e ka fuqinë e as mbështetjen për ta vendosur vullnetin e vet çfarë e ka, pavarësisht se sa i pastër është ai”, është shprehur Gjini në Rubikon në Klan Kosova.
Gjini më tej tha se Kosova duhet të kthehet tek origjinaliteti i vet, tek synimi për një shtet të pavarur, i cili synon integrimin në BE e NATO, teksa shtoi se kjo bëhet me ndihmën e botës akademike, shoqërisë civile e mediave.
“Gjithmonë, pjesa më e madhe i takon qeverisë, cilado që të jetë ajo. Por, i takon edhe botës akademike, shoqërisë civile, mediave. Duhet të fillojmë të mendojmë se Kosova duhet të kthehet në idenë e vet origjinale, për një shtet demokratik që i respekton të drejtat e pakicave, e që kurrë nuk e harron se e vetmja mënyrë për të mbërri këtu ku jemi, ka qenë kur kemi pasur besim të plotë e partneritet të plotë me ShBA-në e unionin evropian”, tha Gjini.