Hartuesi dhe anëtari i Fondit Sovran, Emanuel Bajra, ka thënë se ky fond do të jetë i pavarur nga Qeveria, dhe sipas tij do të jetë totalisht autonom nga politika.
Bajra, duke theksuar rëndësinë e këtij fondi, tha se Fondi Sovran do të jetë financieri i Qeverisë dhe i shtetit të Kosovës.
“Fondi do të jetë entitet i pavarur nga Qeveria, totalisht autonom. Do t’i përgjigjet vetëm Kuvendit. Një fond i mirëmenaxhuar, i strukturuar mirë do të jetë totalisht i pavarur nga politika. Ky fond ka dy borde; bordin mbikëqyrës dhe bordin menaxhues. Ky fond do të krijojë vlera të reja ekonomike, do të bëjë para në emër të Kosovës dhe kur paraqitet nevoja që Qeveria ka plan strategjik dhe plane të efektshme për investime në ekonomi, fondi gjithsesi do të jetë ai bankieri ose financieri i qeverisë dhe i shtetit të Kosovës në emër të interesave ekonomike të vendit”, ka thënë Bajra.
Në pyetjen se ky fond a do të ndihmojë në investimet në ushtrinë e Kosovës dhe në Fondin për Sigurimet Shëndetësore, ai ka thënë se fondi qëllimin kryesor e ka forcimin e korporatave shtetërore që kanë pasur probleme në 20 vitet e fundit.
“Me forcimin e këtyre korporatave dhe me rritjen e përfitueshmërisë së këtyre korporatave, atëherë ne vazhdojmë me fazën e dytë, krijimi i disa kompanive të reja që do ta promotojnë Kosovën jashtë. Për së brendshmi varet krejt prej politikave ekonomike të qeverisë. Fondi është mbështetës financiar i Qeverisë. Nëse Qeveria e Kosovës ka plan-projekte të ndryshme, si p.sh., Nëse dëshiron një reformë të thellë në shëndetësi ose në rritjen e kapaciteteve ushtarake etj., gjithsesi se Fondi do t’i përgjigjet asaj nevoje, sepse është investim strategjik për Kosovën që të investojë në shëndetësi, në arsim, në zhvillimin e ndërmarrësish, në ushtri etj.,”, ka shtuar Bajra për Radio Dukagjinin.
Bajra ka thënë se pa themelimin e fondit si institucion zyrtarisht, Fond Sovran i Republikës së Kosovës, nuk mund të japin premtime në çfarëdo lloj entiteti financiar edhe pse ka interesim, duke përfshirë Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Ka interesim më tepër sipërfaqësor. Institucionet financiare ndërkombëtare janë njoftuar për konceptdokumentin dhe për ligjin, për formatin e ligjit, për dizajnin e ligjit që e kemi, mirëpo momentalisht, për shkak se akoma nuk e kemi ligjin e kaluar në parlament, është shumë e vështirë të japim ndonjë premtim në çfarëdo lloj entiteti tjetër financiar. Ka interesim nga Banka Botërore, nga FMN-ja dhe nga shumë institucione të tjera që “të dinë më tepër”. Ka interesim prej entiteteve private financiare në Londër, në Nju Jork dhe gjithandej botës, ka interesim edhe nga Lindja e Mesme, por ne jemi akoma në fazën e parakalimit të ligjit, andaj nuk mund të flasim më tutje. Pas kalimit të ligjit, me themelimin e fondit tamam si institucion zyrtarisht Fond Sovran i Republikës së Kosovës”, ka theksuar Bajra.
Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti, në konferencën e mbajtur para disa ditësh për lansimin e Fondit Sovran të Kosovës, ka thënë se Kosova është afër themelimit të këtij fondi.
Në këtë konferencë Kurti ka thënë se kanë shënuar rezultate si në ekonomi, kanë punuar drejt korrupsionit e, po ashtu, tha se janë bërë ndryshime në ndërmarrjet publike, duke i kthyer ato, nga ndërmarrje që ishin me humbje, në ato me profit.
Në konferencën për lansimin e Fondit Sovran të Kosovës, Kurti përmendi edhe ndërmarrjet kryesore që do t’i barten këtij fondi.
“Qeveria jonë qëndron fuqishëm prapa këtij vizioni, duke besuar që një nismë e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profitit për shtetin përmes investimeve të mençura, e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë. Të gjitha këto me qëllim të një transformimi makroekonomik, të bazuar në kornizë politikash të investimeve të qarta përmes dispozitave ligjore të parashikueshme”, tha Kurti.