Hamza lajmërohet pas takimit me Lajçakun, kritikon Kurtin: Kam pikëpyetjet e mia

Kryetari i Mitrovicës Jugore, Bedri Hamza, ka foluar para gazetarëve pasi që priti në një takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai tha se bashkë me diplomatin sllovak kanë folur “për situatën e përgjithshme në Kosovë, në regjion, për çështjen e dialogut” si dhe për zhvillimet që janë duke ndodhur në Kosovë dhe posaçërisht në këtë pjesë të vendit.

“Gjithsesi që ka qenë temë edhe çështja e urës së Ibrit dhe nevoja që të respektohet dhe zbatohet kushtetuta dhe ligjet në fuqi që garantojnë lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve. Kemi biseduar edhe për progresin e arritur gjatë këtyre viteve por edhe për ndjeshmërinë që ndodhet dhe është prezente në këtë pjesë të Kosovës dhe të gjithë ne do ta bëjmë maksimumin që të punojmë në dobi të paqes, prosperitetit dhe krijimit të kushteve për jetë të përshtatshme për të gjithë pa dallim, me prioritet zbatimin e ligjit”, deklaroi Hamza.

Ai foli edhe për draft-vizionin e prezantuar nga kryeministri Albin Kurti në Bruksel.

Ish-ministri i Financave u shpreh se i ka pikëpyetjet e veta mbi këtë çështje, transmeton Paparaci.

“Pak kisha ndryshu në pyetje, për shkak se një marrëveshje ka ndodhur në Bruksel, ka ndodhur në Ohër, është publike. Draft-vizion të them të drejtën nuk e di, draft statut po. Tash është prezantu një draft statut, i cili sipas të gjitha gjasave është një dokument që është diskutu, por jo diçka më shumë. Ka opsione të ndryshme dhe sigurisht që këto çështje kanë me u definu në ditët në vijim dhe në të ardhmen”, shtoi Hamza.

“Kështu që është prezantu një dokument, tash të them të drejtën, a ka qenë rruga e duhur me shku deri aty, i kam pikëpyetjet e mia. Është diçka që ka me ndodh në progres”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *