Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka folur për problemin e trafikut të ngarkuar në Prishtinë.
Rama në “Debat Plus” ka thënë se ngarkimi i trafikut është rezultat i zhvillimit të hovshëm të Prishtinës nga sektori privat, mirëpo i mungesës të investimeve kapitale në sektorin publik.
Ai ka thënë se problemi i trafikut lidhet drejtpërdrejt me mungesën e infrastrukturës, pasi sipas tij rrugët janë të mangëta në raport me zhvillimin e qytetit.
“Kemi mungesë të infrastrukturës, pra nuk ka rrugë, rrugët janë të mangëta në relacion me zhvillimin e qytetit, gjithmonë duhesh me ardh nga qendra për me shku në pjesët tjera. Pra nuk kem rrugë ndërlidhëse në zonat periferike”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Rama ka deklaruar se janë duke punuar për krijimin e rrugëve alternative.
“Edhe për këtë siç e dini kemi një zhvillim të hovshëm tash rrugëve të reja në të gjitha pjesët e kryeqytetit”, ka thënë tutje ai.
Rama, ka bërë të ditur se deri në fund të vitit, kryeqytetit pritet t’i shtohen edhe 30 autobusë të rinj, gjashtë prej tyre sipas tij do të jenë elektrikë.
“Jemi duke e përpilu strategjinë e re, e kemi nënshkru kontratën për 10 milionë euro me IBRD, me Bankën Evropiane të Zhvillimit, do t’i bimë 30 autobusë shtesë, 6 prej tyre elektrikë”, ka thënë ai.
Rama, tha se po ashtu, janë në diskutim për 50 kombibusë elektrikë, të cilët janë më të vogël për nga madhësia se sa autobusët klasikë.
Ata do të shërbejnë për të hyrë në zona ku autobusët e mëdhenj nuk mund të hyjnë.
“Shpresoj që deri në fund të këtij viti, sepse IBRD është duke bërë prokurimin. Kemi nevojë shtesë jo vetëm të autobusëve, por kemi edhe kombibusëve që duhet me hy nëpër zona ku autbousët e madhësisë së tanishme, nuk mund të hyjnë. Jemi në diskutim për 50 kombibusë elektrikë”, u shpreh ai.