MSh-ja e OShP-ja, si macja me miun për blerjen e insulinave

Si macja me miun janë bërë Ministria e Shëndetësisë dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit për sagën e tenderit të blerjes së insulinave, procedurë kjo e nisur që në 2020-ën.

Në fundin e muajit prill, OShP ka dërguar një urdhër për MSh-në, të cilës i ka dhënë afat prej 5 ditësh që ta zbatojë vendimin e saj të lëshuar me 20.12.2022, ku parasheh ri-vlerësimin e tenderit.

Madje Gjykata e Tenderëve ka urdhëruar që për zbatimin e këtij vendimi, MSh ta njoftojë edhe OShP-në dhe Operatorin Ekonomik, me të cilin ministria po refuzon të nënshkruaj kontratë.

Në të kundërtën në shkresën e OShP-së thuhet  se mos-respektimi i këtij urdhri, do të bëjë që të  kërkojë anulimin e licencës për menaxherin e prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia të mërkurën ka folur lidhur me këtë çështje për të cilën ka thënë se OShP dhe Prokuroria në koordinim me njëra -tjetrën po bëjnë presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë që kontrata t’i nënshkruhet një OE që nuk ka autorizim marketingu, dhe që nuk garanton cilësi dhe siguri të insulinave.

Ministri Vitia tha se po hetohen nga  Prokuroria Speciale, anise tregoj se zyrtarisht nuk kanë pranuar ende diçka të tillë.

Në mes tjerash Vitia nuk u kursye duke theksuar se këto vendime po i shërbejnë interesave të caktuara  dhe të një mafie farmaceutike.

Kujtojmë që MSh muaj më parë edhe kishte paditur OShP-në lidhur me këtë tender, por që Gjykata e Apelit kishte konfirmuar verdiktin e shkallës së parë dhe ankesa e tyre doli të jetë e pabazë.

Vlera e tenderit për insulina është 7 milionë euro me kontratë dy vjeçare. MSh veç herën e parë ka shpallur fitues operatorin me çmimin më të lirë, ku pas ankesave dhe ndryshimit  të një UA, MSh përzgjedhjen e ka kaluar tek operatori tjetër më i shtrenjtë për 400mijë euro me arsyetimin se garanton cilësi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *