Parlamenti Evropian miraton raportet për Kosovën dhe Serbinë

Parlamenti Evropian ka miratuar dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe Serbinë, “përmes së cilave u bëhet ftesë të dyja vendeve që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve dhe ky normalizim duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë”.

Për raportin për Kosovën votuan 452 deputetë, 87 ishin kundër dhe 76 abstenuan.

Këto janë raportet e fundit vjetore për Kosovën dhe Serbinë nga përbërja aktuale e Parlamentit Evropian, pasi në fund të majit apo në fillim të qershorit të vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet evropiane.

Tekstet e raporteve për Kosovën dhe Serbinë paraprakisht ishin miratuar në Komisionin për politikë të jashtme, ndërkaq tani atyre iu shtuan disa amendamente të propozuara, që morën shumicën e votave të deputetëve evropianë.

Në raportin për Kosovën përsëritet ftesa për pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.

Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në tekstin e raportit po ashtu përshëndetet edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE. Aty, po ashtu, mirëpritet përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Të gjitha këto porosi janë pjesë e rezolutës së propozuar dhe u dëgjuan po ashtu nga shumë deputetë gjatë debatit që u zhvillua të martën mbrëma në seancën plenare të Parlamentit.

Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, e cila e ka përpiluar tekstin e propozuar, është shprehur e kënaqur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

“Që nga viti 2019 unë përpiloja raporte për Kosovën duke shprehur vazhdimisht shpresën se do të sigurohet lëvizja e lirë. Tani mund të them se Evropa më në fund i hapi dyert edhe për Kosovën”, tha ajo gjatë debatit.
Në Rezolutën për Serbinë është shprehur keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi në politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Gjatë debatit për Serbinë pati shumë deputetë që kërkon nga Beogradi që të shprehet qartë rreth aspiratave për integrime në BE dhe që këtë orientim ta dëshmojë duke mbështetur edhe sanksionet ndaj Rusisë. U dëgjua nga disa deputetë që Serbia po e bën të kundërtën, se në vend që të rrisë përshtatjen me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, po e zvogëlon atë.

Deputetja kroate, Zheljana Zovko, nënvizoi se nga 65 për qind që ka qenë vitin e kaluar, përshtatja e Serbisë me politikën e jashtme të bllokut evropian ka rënë në 45 për qind.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja – gjatë debatit, raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon kërkoi që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet dhe që procesi i normalizimit të vizave të përfshijë njohjen e ndërsjellë.

Ajo po ashtu kërkoi po ashtu që serbët në veri të Kosovës të kthehen në institucionet kosovare.

Serbët në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, u larguan nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin në targa të ligjshme të Kosovës të makinave që bartnin targa ilegale serbe.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka thënë se kusht për kthimin e serbëve në institucione është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i shtetit.

Ndryshe, rezolutat e Parlamentit Evropian kanë një rëndësi politike, por ato nuk janë obliguese për vendet anëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *