Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Integrime, shkruan Neutral.
Gjatë raportimit të tij, Bislimi ka folur për tema të ndryshme, ku në disa raste ka lavdëruar qeverinë aktuale për merita në shumë procese.
E nisi me liberalizimin e vizave.
Krejt meritat, Bislimi ia la Qeverisë Kurti.
Bislimi gjatë raportimin në Komisionin parlamentar për Integrime tha se ndonëse ishin plotësuar të gjitha kushtet, “hezitimet e disa vendeve anëtare vazhdonin”.
“Këto hezitime kishin të bënin kryesisht me korrupsionin, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar si dhe migrimin e parregullt”, tha ai.
Bislimi tha se pas një viti në qeverisje, “shënuam sukses në këto fusha”.
“Nuk mund t’i falënderoj mjaftueshëm të gjithë ata që kanë punuar ditë e natë që ky proces të përmbyllet me sukses”, tha ndër tjerash zëvendëskryeministri, duke përmendur veçanërisht përfaqësuesit e disa ministrive e stafin e tij.
Ikja e qytetarëve…
Ndonëse, meritat për liberalizim ia dha qeverisë aktuale, Bislimi komentoi edhe ikjen e qytetarëve.
Për zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ikja e kosovarëve nga vendi “është diçka normale”.
Bislimi u pyet për largimin e qytetarëve nga vendi gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrime, dhe fillimisht tha se për këtë “duhen statistika”. Ai tha se në Ballkanin Perëndimor ka pasur gjithmonë tendenca për migrim, ndërsa tha se kjo “është diçka normale”.
“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Evropën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Evropian nuk janë të lidhur me Bashkimin Evropian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, tha ai.
Bislimi tha se “mund të bëhet më shumë” që ata të qëndrojnë në Kosovë, duke thënë se “kushtet e punës duhet të jenë më të mira”.
“A jemi duke bërë mjaftueshëm që ata të mbeten në Kosovë? Unë mendoj që mund të bëjmë më shumë. Por, po them, për aq kohë sa gjithandej nëpër Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan ka shpallje që kërkojmë punëtorë, kjo nënkupton që ndoshta kushtet e punës duhet të jenë më të mira për t’i tërhequr këta që të mbesin në Kosovë”, tha zëvendëskryeministri.
Punësimet e ‘militantëve’…
Nga ikja e të rinjve, që Bislimi e komentoi si ‘normale’, ai foli edhe për një pjesë që s’kanë arsye të ikin, për shkak se për të gjetur punë e kanë më të lehtë.
Bislimi, në Komisionin për Integrime Evropiane është pyetur lidhur me punësimet e ‘militantëve’ nëpër ndërmarrje.
Ai është shprehur i lumtur që kanë aktivistë, të cilët janë ekspertë!
Sipas tij, nuk ka asgjë të keqe që një person me bindje të caktuara politike të emërohet në ndonjë bord.
“Nuk mendoj nëse është gabim që Besnik Bislimi emërohet në një ndërmarrje publike sepse është makro-ekonomist. Nëse Bislimi emërohet vetëm se është militant politik e me shkollë të mesme, ky është problemi. Nëse kemi aktivistë që përmes konkurseve dëshmojnë se e meritojnë një vend të punës, ne do të jemi të lumtur, sepse në radhët tona kemi ekspertë”, tha Bislimi.
Bislimi për Martin Berishaj: Turp se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar’
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka vlerësuar “kontrukt artificial” rastin e implikimit të Martin Berishajt në skandalin e shpëlarjes së parave që përfshin miliona euro transaksione nëpër banka dhe qindra mijëra të bartura ‘cash’ mes Kosovës, Malit të Zi e Sllovenisë.
Bislimi tha se është turp “se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar”.
“Ju e dini shumë mirë që rasti i Martin Berishajt është konstrukt artificial i ndërtuar nga subjektet politike në Kosovë. Nuk ka asnjë proces gjyqësor të nisur kundër tij. Është e turpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar siç është Martin Berishaj me shpresën se mund të nxjerret ndonjë beneficion politik”, tha Bislimi.
“Sikur z. Berishaj të kishte prapa vetes ndonjë dënim, atëherë mund të flisni, por të gjitha këto janë spekulime dhe është dokumentuar qartë se s’ka asgjë të vërtetë në to”, shtoi ai.
Bislimi kritikon Gjykatën Kushtetuese që e rrëzoi ligjin për KPK
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka përmendur ligjin për Këshillin Prokurorial, si një nga vendimet e mira të qeverisë, ndonëse atë e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, pasi e konsideroi jokushtetues.
Bislimi tha se për atë ligj dy herë kanë marrë “mendim pozitiv” nga Komisioni i Venecias, duke e kritikuar Gjykatën Kushtetuese për aktgjykimin. Dhe kur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj i ndërhye pët të thënë se nuk guxojnë të ndërhyrjnë në drejtësi, Bislimi vazhdoi duke thënë “unë guxoj”.
“Për ligjin për KPK-në dy herë kemi mendim pozitiv të Komisionit të Venedikut”, tha Bislimi. “Por ja që po del që Gjykata Kushtetuese e Kosovës mendon ndryshe nga Komisioni i Venedikut”.
“Zëvendëskryeministër, ne nuk guxojmë…”, i ndërhyu deputetja.
“Unë guxoj. Unë nuk e di a guxoni ju, por unë guxoj”, tha zëvendëskryeministri.