Mungesa e hapësirave brenda Onkologjisë, MSH thotë që së shpejti do të hapin tender

Në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK) pacientët të cilët janë të prekur me sëmundjet malinje detyrohen të presin me orë të tëra për të marrë një trajtim, e gjithë kjo si pasojë e mungesës së hapësirës së nevojshme dhe mungesës së shtretërve në këtë klinikë.

Për këtë problem, pacientët para disa ditësh kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për përmirësimin e kushteve.

“Pacientët të cilët i janë nënshtruar kimioterapisë në Repartin e Onkologjisë po përballen me vështirësi për shkak të kushteve tejet të rënda, si rezultat i mungesës së stafit teknik, hapësirës së pamjaftueshme, kushteve higjienike sanitare të vështira gjatë marrjes së terapisë, si dhe mungesën e disa barnave në këtë institucion”, thuhet mes tjerash në kërkesën e pacientëve.

Lidhur më këtë çështje, Telegrafi ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, për të mësuar nëse do të ndërmarrin veprime për zgjidhjen e kësaj çështje.

MSH bëri të ditur që së shpejti do të hapin tenderin për rritjen e kapaciteteve të saja në infrastrukturë.

“Në këtë Klinikë pritet që gjatë këtij muaji të hapet tenderi për rritjen e kapaciteteve të saja në infrastrukturë, më qëllim të krijimit të hapësirave të reja për pacientë që marrin shërbime në Onkologji dhe personelin që ofron këto shërbime. Më shumë detaje rreth procedurave të këtij investimi mund të merrni në SHSKUK, pasi që ky shërbim është njësi e ndarë buxhetore nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Sa i përket pagesës së specializantëve, MSH bëri të ditur se pagesat janë duke u realizuar sipas procedurave të përcaktuara me ligj.

“Sipas të dhënave nga administrata e MSh-së, pagesat e specializantëve janë bërë për janar shkurt dhe mars, ndërsa janë duke u pranuar raportet nga njësite e SHSKUK-së pre vijueshmërinë e tyre në program për të ekzekutuar pagesën edhe për muajin prillit sipas procedurave të përcaktuara me ligj”, thekson MSH.

Ndryshe, për numrin e madh të pacientëve të prekur me sëmundje malinje dhe mungesën e hapësirës në Onkologji, para disa ditëve ka folur edhe Vildane Goga- Çmega, shefe e shërbimit të kimioterapisë në Qendrën Klinike Universitare.

Në një intervistë për Telegrafin, ajo ka thënë se brenda ditës klinikën e frekuentojnë deri në 180 pacientë.

“Brenda ditës klinikën e frekuentojnë nga 150 deri në 180 pacientë, duke i përllogaritur të dy repartet atë të kimioterapisë dhe të radioterapisë. Sa i përket marrjes së shërbimeve vetëm kimioterapeutike, brenda vitit regjistrohen diku 5 mijë cikle të pacientëve të ndryshëm”, kishte deklaruar ajo.

Doktoresha kishte njoftuar se kanceri më i përhapur është ai mushkërive dhe kanceri i gjirit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *