Kolona ushtarkae e automjeteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është filmuar sot teksa ishin nisur drejt Aeroportit të Gjakovës.
Pamjet janë publikuar në Twitter, nga Shpend Lila nga ICK i cili ka shkruar se “Ushtria e Kosovës është nisur për në Aeroportin e Gjakovës, tani vetëm për përdorim ushtarak në prill 2023. Krenar, edhe pse më është dashur të vozis 40 km/h për 2 orë”.
Kujtojmë se muaj më parë, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu kanë prezantuar dy projekte madhore që sipas tyre kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Këto dy projekte që do të përdoren për arsye strategjike të FSK-së, do të realizohen në Babaj të Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës.
Mehaj tha se Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes, kurse Babaj të Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të FSK-së në të cilën do të ndërtohen poligone taktike moderne sipas standardeve të NATO-s.
Kujtojmë se Kosova, nga 21 maji deri më 2 qershor do të jetë nikoqire e “Defender Europe ’23”. Kosova do të marrë pjesë me mbi 1300 trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës në stërvitjen fushore “Defender Europe ’23”, përkrah forcave amerikane dhe aleatëve tjerë.
Gjithashtu, me këtë rast, Republika e Kosovës, do të ketë edhe statusin e vendit pritës. Në këtë stërvitje do të validohet edhe një regjiment me njësitë të tjera të specializuara që e mbështesin në stërvitje.