“Zajednicën e ka vrarë Gjykata Kushtetuese” | Albin Kurti shkon në Bruksel për ta ritkhyer plotësisht në jetë “projektin e Serbisë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi që në Ohër më 18 mars arriti ta ringjallë Zajednicën, më 2 maj do të niset për në kryeqendrën evropiane, në Bruksel, për ta rikthyer plotësisht në jetë “projektin e Serbisë në Kosovë”.

Në takimin e 2 Majit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Kurti, do të negociojë me presidentin e Serbisë, Vuçiq, për Statutin e Zajednicës apo Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, e cila është bërë fuqiplote me Marrëveshjen e Ohrit, në pikën 10 të saj.

Përmes Statutit, Zajednica do të jetësohet, apo siç do të thoshte vetë Kurti, ky do të ishte një rikthim plotësisht në jetë i projektit të Serbisë.

Vdekjen e saj, Kurti e kishte shpallur pasi që Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Aktgjykim në të cilin ishin evidentuar shkeljet e Kushtetutës së Kosovës në marrëveshjen e parimeve bazë për formimin e Asociacionit.

“Zajednica është e vdekur. Të provosh ta ringjallësh Zajednicën do të thotë të përfundosh në pozicionin e nacionalizmit serb. Sepse, pas këtij Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, të insistosh edhe më tutje, të këmbëngulësh në Zajednicë, do të thotë të përfundosh në pozicionin e nacionalizmit serb”, deklaronte opozitari Kurti në një studio televizive.

E në një tjetër, Kurti ishte edhe më fuqishëm kundër Zajednicës. “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe praktikisht ka vdekur dhe e dini Gjykata Kushtetuese më 23 dhjetor të vitit 2015 ka thënë që asnjë prej 7 kapitujve nuk është në përputhje me Kushtetutën, gjithsej 23 nene të Kushtetutës janë shkelur, rrjedhimisht nuk ka më Asociacionin. Varroset më 6 tetor, ata që e kanë mbështet shkojnë bashkë me të, le t’ia bajnë qaren ata, sa për neve kryhet kjo punë… E ka shpartalluar ai vendim i Gjykatës Kushtetuese Zajednicën, unë e kam lexuar mirë atë aktgjykim, unë e kam parë që e ka shpartallu”.

Për Albin Kurtin dhe partinë e tij Vetëvendosjen, Zajednica është një kthim i Serbisë, e cila do të na sjellë luftë për brezin e ardhshëm.

“Zajednica për Kosovën është një kthim i Serbisë, që do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm. Meqenëse, kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë, fëmijët tanë luftën e kanë te dera… Unë së paku kam shpresuar se ndoshta ky brezi ynë, që jemi gjallë tash, është i fundit që ka përjetuar luftë. Nuk ka brez shqiptarësh që nuk e ka përjetuar së paku një luftë. Ka breza edhe me nga dy-tri luftëra. Mirëpo, me këtë Zajednicë i garantohet lufta brezit të ardhshëm”, ishte parashikimi ogurzi i Kurtit.

Studiot televizive nuk ishin vendi i vetëm nga ku Kurti luftonte Zajednicën. Bllokimi i Kuvendit të Kosovës dhe protestat nëpër rrugët e Prishtinës ishin bërë të zakonshme.

Por, çuditërisht, Zajednicën që e shpallte të vdekur opozitari Kurti dhe që protesonte kundër saj, po e ringjallë dhe po e rikthen plotësisht në jetë i njëjti person, por tash me pushtetin si kryeministër, Albin Kurti.

Sikur kjo të mos mjaftonte, Kurti është ankuar në publik se si nuk po arrin të kontaktojë me Ekipin Menaxhues për hartimin e draftstatutit të Zajednicës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *