Asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati-Doli, e ka thënë se parashtrimi i kërkesës së saj për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve për lëvizje të lirë është bërë pas kërkesave të qytetarëve.
Ferati-Doli tha se është mëse e nevojshme të mundësohet liria e lëvizjes nëpër urën që ndan anën veriore dhe jugore të qytetit pasi bllokohet komunikacioni.
“Po bllokohet komunikacioni, nënat me fëmijë kanë shumë probleme të lëvizin lirshëm. Është kërkesë e qytetarëve të Kosovës, e kam kërkuar të futet në rend dite. Nuk ka ndonjë tendencë përveç funksionalizimit të kësaj ure, bëhet jeta e mirë për qytetarët”, ka thënë Ferati–Doli për RTV Dukagjinin.
Sa i përket përshkallëzimit të situatës për shkak të reagimeve të Listës Serbe, ajo ka thënë që reagime të tilla nuk janë të nevojshme sepse, sipas saj, kërkesat e qytetarëve duhen dëgjuar.
“Këto reagime nuk ka qenë nevoja të bëhen, ne si përfaqësues të popullit që na kanë votuar, i propozojmë si pika të rendit të ditës, me secilën kërkesë merremi secili asamblist. Qytetarët janë të kënaqur me këtë, bëhet një lirim i komunikacionit”, shtoi ajo.
Sot, kryesuesi i kuvendit komunal në Mitrovicën e Veriut, Nedzat Ugljanin, njoftoi se është marrë vendim për hapjen e urës së Ibrit.
Vendimi i cili erdhi nga propozimi i delegates, Aida Doli, mori 13 vota pro, një kundër nga komuniteti serb dhe një abstenim nga komuniteti shqiptar i cili kërkoi që të shtyhet vendimi.