Një numër i madh i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, (KEK) kanë protestuar sot para Qeverisë më kërkesë për t’i rritur pagat. Sipas tyre punëtorët janë të rrezikuar në punë, por rrezikshmëria e tyre nuk po paguhet.
Këtë kërkesë e konsiderojë legjitime edhe Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, (SBASHK) Rrahman Jasharaj.
Ai tha se e vlerësojnë punën e punëtorëve të KEK-ut dhe se ata po e sakrifikojnë shëndetin e tyre për të pasur dritë Kosova.
“SBASHKU jo vetëm këtë protestë por të gjitha veprimet sindikale që janë në kërkim të drejtave të punëtorëve i mbështet, unë sot erdha në emër të SBASHK-ut që t’i përcjell kolegëve tanë sindikalistë edhe mesazhin nga të punësuarit në arsim sepse ne vlerësojë shumë lartë punën, sakrificën që e bëjnë punëtorët në KEK ndërsa ata përballen me sëmundje dhe e sakrifikojnë shëndetin e tyre që Kosova të këtë sa më shumë dritë e sa më pak terr”, ka thënë Jasharaj për IndeksOnline.
Jasharaj për IndeksOnline bëri të ditur se nuk do të këtë protestë me 1 maj, në ditën e punëtorëve.
“Më 1 maj nuk do të këtë protesta në Kosovë, ngase kemi vlerësuar se protestat kur i bën duhet të kesh kujt t’ia bësh, sepse edhe në protestat apo grevat e vitit të kaluar Qeveria qëndrojë e shurdhër”
Ai ndër tjerash tha se kësaj Qeveri nuk po i shkojnë mesazhet e protestës si duhet, “..dhe mbase kjo është arsyeja pse ky 1 maji do të jetë i heshtur, por kur mllefi akumulohet mund të vijë një ditë kur do të shpërthejë si ndonjë vullkan”, theksojë Kryetari i SBASHK-ut./IndeksOnline/