Qytetarët të cilët janë ankuar për shërbimet dhe pagesat e realizuara tek operatori “VisaMetric” për aplikim për viza “Schengen” për Gjermani, e të cilat Inspektorati i Tregut i ka konstatuar si shkelje, do të rimbursohen, ka bërë të ditur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) të enjten.
Në një njoftim për media të kësaj ministrie, gjatë muajve të fundit “numër i madh” i ankesave nga konsumatorët janë pranuar nga MINT-i. Qytetarët janë ankuar për shërbimet dhe pagesat e realizuara ndaj “VisaMetricut”, ka thënë Ministria.
Sipas njoftimit, Inspektorati i Tregut ka vendosur në favor të konsumatorëve dhe pas takimit me drejtuesit e kompanisë, do të ketë rimbursim për qytetarët.
“Inspektorati i Tregut në MINT ka bërë vizitë dhe është takuar edhe me drejtuesit e operatorit ekonomik ‘VisaMetric’ L.L.C në Prishtinë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe ofrim të shërbimeve për konsumatorët, në pajtim me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, duke pranuar se do të bëjnë ri-mbursimin e konsumatorëve, që janë ankuar. Për shkeljet e konstatuara, Inspektorati i Tregut ka ndërmarrë veprime konform ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
MINT-i ka ftuar qytetarët që kanë dyshime se disa pagesa për viza kanë qenë të paarsyeshme apo vlerësojnë se ka pasur shkelje të tjera, të drejtohen në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Disa qytetarë nëpër rrjete sociale ishin ankuar ndaj kësaj kompanie se “u janë tërhequr mjetet prej llogarisë, edhe pse termini nuk ishte konfirmuar”