Shoqëria Civile u kërkon deputetëve të trajtojnë me “urgjencë” ligjin e pagës minimale

Në prag të një majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, 19 organizata jo qeveritare në Kosovë i kanë kërkuar deputetve që të merren me ligjin e pagës minimale në Kosovë.

Në një letër e cila i është nisur Kuvendit të Kosovës këtë të enjte, shoqëria civile kërkon që në mënyrë urgjente të trajtohet Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale në Kosovë.

Projektligj ky i cili ka ngecur që nga muaji qershor i vitit të kaluar. I cili, sipas organizatave, e ka “tejkaluar afatin procedural kur do të duhej të hidhej në votim të dytë”.

“Projektigji i propozuar për pagën minimale është një hap drejt garantimit që të gjithë punëtorët në Kosovë të paguhen me një pagë më të drejtë dhe që reflekton koston e jetesës. Ndonëse i pamjaftueshëm, ky ligj do të ofrojë lehtësim shumë të nevojshëm për punëtorët me paga të ulëta për ta përballuar jetesën, si dhe do të ndihmojë në uljen e varfërisë dhe pabarazisë”, shkruan në letrën e shoqërisë civile drejtuar deputetëve të Kosovës.

Përkundër shqetësimeve se paga minimale mund të ketë ndikim negativ në konkurrueshmërinë e bizneseve, thuhet në letër, “hulumtimet dhe përvojat e shumë ekonomive kanë dëshmuar se bizneset në të vërtetë përfitojnë nga rritja e pagës minimale, meqë kjo e rrit produktivitetin e punëtorëve të tyre, e rrit konsumin e përgjithshëm shoqëror, si dhe e redukton braktisjen e vendeve të punës nga punëtorët gjë që e stabilizon biznesin në përgjithësi”.

Ky ligj, theksohet se mund të ndikoj, ndër të tjera, që punëtorët të mos migrojnë në vende evropiane dhe Kosova ashtu si shumë vende të rajonit të përballet me problemin e mungesës së fuqisë puëntorë.

“Ne konsiderojmë që është përgjegjësi e institucioneve publike të marrin masa e sjellin vendime të cilat e rrisin mirëqenien e dinjitetin njerëzor të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Paga e dinjitetshme dhe puna e dinjitetshme janë një prej faktorëve kryesor që ndikojnë në mirëqenie”, shkruan në letrën e shoqërisë civile.

Për herë të parë dhe të fundit, niveli i pagës minimale në Kosovë u caktua në vitin 2011(130-170 euro). I cili tani nuk është as për së afërmi në përputhje me zhvillimet ekonomike, e veçanërisht me rritjen e inflacionit gjatë vitit të kaluar, rritje kjo që po vazhdon edhe këtë vit.

Nënshkruesit e letrës avokuese:

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të IPKO, Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit Limak Kosova, Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës, Advocacy Training & Resource Center – ATRC, Community Development Fund – CDF, Green Energy Kosova, Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS, Instituti Cilësor për Hulumtime dhe Trajnime – iCHat, OJQ Gruaja Hyjnore, OJQ LENS, OJQ Zana, Qendra Kosovare për Studime Gjinore – QKSGJ, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë – KCSS, Qendra për Politika dhe Avokim – QPA, QIKA, Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës – RrGGK, Sbunker, Women 4 Women – W4W.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *