Komisionerja në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), Krenare Sogojeva Dermaku ka thënë se do nisin analizën dhe vlerësimin bashkë me institucionet e sigurisë nëse Tik Tok duhet të ndalohet në Kosovë.
Pas analizave të disa shteteve se mund të ketë rrezik nga kjo platformë, çështjen e Tik-Tokut e ka ngritur deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha gjatë raportimit të AIP-së të martën.
Sogojeva Dërmaku tha se me tu ngritur kjo çështje, ata do të nisin analizës e situatës bashkë me institucionet e sigurisë por për ndalimin e këtij aplikacioni do të vendosë Qeveria.
Ne si Agjenci jemi mbikëqyrës për zbatimin e ligjit të të dhënave personale. Në këndvështrimin e këtij ligji, Agjencia nuk mund të marrë ndonjë vendim për ndalimin e kësaj platforme. Kosova, në rast se do të vendoset pas një analize nga të gjitha institucionet e sigurisë në vend, duhet të ketë një vendim të Qeverisë apo të Kuvendit, në mënyrë që kjo platformë të ndalohet”, ka thënë Sogojeva-Dermaku për KTV-në, përcjell Reporteri.net.
Tutje ajo shtoi se TikToku e mundëson marrjen e të dhënave personale.
Po ashtu tregoi se si Agjenci janë përballur me keqpërdorime nga kjo platformë.
“Jemi të vetëdijshëm se kjo platformë e mundëson marrjen e të dhënave personale, në këndvështrim të ligjit po flas. Por edhe ne si Agjenci jemi përballur me raste ku përmes kësaj platforme janë bërë shumë linçime, keqpërdorime të dhënave personale të qytetarëve deri në atë masë sa rasti ka përmbajtur edhe element të veprës penale dhe i kemi drejtuar te Policia”, deklaroi ajo.
Komisionerja e AIP-it tha se pret që bashkë me institucionet të çojnë një propozim në organet e larta për ndalim të mundshëm të TikTokut.
Ndërkaq bëri thirrje që të gjitha rrjetet sociale të të përdoren me rezervë.
“Në këtë kohë të digjitalizimit, çdo publikim i të dhënave personale do të çojë deri te identifikimi e më pas te keqpërdorimi”, ka thënë Sogojeva-Dermaku.
Tani disa shtete si ShBA-ja,BE-ja dhe Britania e Madhe e kanë ndaluar tik tokun nga telefonat e zyrtarëvë publikë për shkak të frikës së sigurisë.