Gjyqtarëve grekë u pranohet kërkesa për pushim për arsye psikologjike pas rastit në Kosovë

Anastasios Kardaris dhe Dimitris Zacharias kanë kërkuar leje që të lirohen nga delegimi për ndeshjet e ardhshme në Basket League – elitën e basketbollit grek.

Sipas mediumit “sport24.gr”, kjo kërkesë e tyre është për arsye psikologjike pas përfshirjes së tyre në ngjarjet e fundit në Kosovë.

Para dy ditësh, KB Sigal Prishtina pretendoi se ka zbuluar një skandal të madh, duke shkruar se gjyqtarët grekë, të caktuar për ndeshjen e tretë gjysmëfinale ndaj Trepçës të zhvilluar javën e kaluar, janë parë duke u takuar me dikë që ka tentuar t’i ofrojë ryshfet për të favorizuar mitrovicasit.

Ndonëse asgjë nuk është vërtetuar ende, buja që është krijuar pas akuzave nga klubi kryeqytetas, ku u përfshin Kardaris dhe Zacharias, kanë ndikuar që gjyqtarët ndërkombëtarë të mos drejtojnë në ndeshjet e parapara në Kosovë. Ata tani janë liruar edhe nga drejtimi i ndeshjeve në vendin e tyre.
Nga Federata e Basketbollit e Greqisë është bërë e ditur se “për shkak të stresit psikologjik të ditëve të fundit, e ka kuptuar kërkesën në fjalë dhe për këtë arsye e ka pranuar atë, duke i liruar të dy nga detyra”.

Kujtojmë se Federata e Basketbollit e Greqisë ka kërkuar sqarime lidhur me këtë rast nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

Në anën tjetër, KB Trepça ka mohuar kategorikisht se “kanë gisht” në këtë rast.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka bërë të ditur se për rastin janë njoftuar organet përkatëse të shtetit, por deri më tani nuk është bëri i ditur ndonjë zhvillim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *