Këshilltarja e Presidentes Vjosa Osmani, Rejhan Vuniqi, ka bërë një postim në Twitter ku ka thënë se aplikimi i Kosovës do të jetë nesër në agjendën e Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës.
Nesër, më 24 prill, mbahet mbledhja e radhës e Komitetit të Ministrave. Zëdhënësi i KiE-së i kishte thënë Nacionales se “diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale.”
“Aplikimi është duke u marrë parasysh nga Komiteti i Ministrave, në dakordim me të gjitha rregullat relevante,” – kishte thënë ai.
Megjithatë, Rejhan Vuniqi në postimin e bërë në Twitter është shprehur e bindur se një gjë e tillë – aplikacioni i Kosovës në agjendë – do të ndodhë.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendë për takimin e të hënës së Komitetit të Ministrave. Le të shpresojmë për zhvillime pozitive në këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian,” – është shprehur znj. Vuniqi.