Për 18 vjet me radhë, rrymën që kanë shpenzuar qytetarët në pjesën veriore të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – e kanë paguar qytetarët e pjesëve të tjera të vendit. Organet e drejtësisë kanë konfirmuar këtë muaj se qytetarët që kanë paguar më shtrenjtë për shkak të veriut, duhet të kompensohen, por si e kur, nuk është e qartë.
Mbi 63 milionë euro është vlera e rrymës së shpenzuar gjatë vitit 2022 në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zvecan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Në vitin 2021, kjo vlerë ka qenë rreth 42 milionë euro. Nga një kalkulim i Institutit GAP rezulton se në periudhën 2010-2020, qytetarët në veri kanë shpenzuar mbi 132 milionë euro energji elektrike.
Shpenzimet janë paguar deri në vitin 2017 nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës e pastaj nga KOSTT dhe Qeveria e Kosovës.
Por, si ka ardhur deri te kjo?
Refuzimi për të paguar rrymën ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme në veri, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.
Për t’i shlyer këto borxhe, qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, kanë paguar fatura për 3.5 përqind më të shtrenjta.
Nga viti 2017 e këndej, për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kaluar përgjegjësinë e pagesës te institucionet e vendit. Po atë vit, Gjykata e Apelit ka kërkuar që konsumatorët që kanë paguar rrymën e shpenzuar në veri për 18 vjet, të kompensohen.
Më 18 prill, Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e ZRRE’së që të rishshyrtohet aktgjykimi i Apelit, duke thënë se konsumatorëve duhet t’u rikthehen mjetet.
Se si dhe kur do të mund të bëhet kjo, tash për tash nuk ka asnjë informacion.
Por, ky nuk është problemi i vetëm që ka shkaktuar mosfaturimi i rrymës në veri. Zona ka kohë që është shndërruar në oazë për prodhimin e kriptovalutave edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar në Kosovë, për shkak se procesi kërkon sasi marramendëse të rrymës.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vetëm gjatë viteve 2017 dhe 2018, u importuan pajisje për prodhimin e kriptovalutave në vlerë prej 3 milionë euro.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se për shkak të veprimeve të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro nga faturat e rrymës dhe ujit, që serbët në veri nuk i kanë paguar nga viti 1999.
Nga viti 2013, dy vendet kanë bërë disa marrëveshje në fushën e energjisë, por gjërat s’kanë lëvizur përpara.
Sytë tani janë te një marrëveshje që Kosova dhe Serbia e kanë arritur më 27 shkurt e që parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët, përfshirë ato për energjinë. /REL