Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, vlerëson se kryeministri i vendit, Albin Kurti, është i kapur nga kthetrat e mafisë energjetike në vend tash e disa vjet.
Shala, në seancën plenare të Kuvendit, tha se në vazhdimësi kanë paralajmëruar për rreziqet që i kanosen vendit, madje siç tha ai edhe kanë dhënë rekomandime por se të njëjtat s’janë marrë parasysh nga Kurti.
“Kemi ngritur shqetësimin tonë që nga fillimi i mandatit të Qeverisë Kurti 2, kemi paralajmëruar për rreziqet që i kanosen vendit nga mafia energjetike, kemi ngritur komisione hetimore me shumë mund dhe kemi dhënë rekomandime dhe të gjitha këto kanë rënë në vesh të shurdhër të kryeministrit Kurti”.
“Tani është bërë e qartë që ai personalisht dhe jo vetëm ka qenë dhe është në dijeni dhe i zhytur thellë në kthetrat e mafisë energjetike të Kosovës prej vitesh”, u shpreh Shala.
Tutje, Shala foli edhe për subvencionimin e qeverisë për enegjinë, që sipas tij është vetëm dëm dhe humbje prej 500 milionë eurosh nga buxheti.
“Për dy vite qeverisje nga buxheti kanë dalë mbi 500 milionë euro që kanë shkuar në sektorin energjetik, shumica nga to të paplanifikuara dhe jashtë linjave buxhetore në emër të subvencionimit, importit dhe remonteve të hidrocentralit, KEK-ut dhe KESCO-së e të gjitha këto kanë dhënë zero rezultat në drejtim të energjisë vendore”, tha Shala.