Shqiptarja nga Kosova, Zana Dobroshi, njihet nga organizata Top 100 Registry, Inc. si Mjekja e Vitit 2023.
Dobroshi aktualisht punon në Spitalin Harlem të Nju Jorkut dhe shërben si Drejtoreshë në Qendrën Psikologjike të Kolegjit Queens, me seli në Nju Jork,
Këtë vit, ajo do të paraqitet në listën e Top 100 Doktorëve të vitit 2023, shkruhet në një deklaratë për shtyp të organizatës Top 100 Registry, Inc..
Dr. Zana Dobroshi, është mjeke/psikiatër në Spitalin Harlem të Nju Jorkut. Si mjeke që punon në Qendrën Spitalore Harlem dhe Drejtoreshë në Qendrën Psikologjike të Kolegjit Queens, interesat e saj klinike përfshijnë psikiatrinë publike, trajtimin e PTSD-së, skizofreninë në fëmijëri etj.
Doktoresha Dobroshi mori diplomën e saj bachelor nga Fakulteti i Mjekësisë së Universitetit të Beogradit në ish-Jugosllavi në vitin 1972.
Më pas, në vitin 1982, ajo doktoroi në Universitetin e Zagrebit në Kroaci.
Pas zhvendosjes në SHBA, Dobroshi përfundoi trajnimin e saj në psikiatrinë e të rriturve, fëmijëve dhe adoleshentëve në Spitalet Universitare në Cleveland, Ohio.
Dobroshi gjatë gjithë karrierës së saj të shquar ka mbajtur poste të ndryshme të rëndësishme. Ajo, për një kohë, shërbeu edhe si Profesoreshë e Asociuar e Psikiatrisë në Universitetin e Prishtinës.
Dobroshi mban lidhje profesionale me Shoqatën Amerikane të Psikiatrisë, Shoqatën Ndërkombëtare të Psikiatrisë, Shoqatën Amerikane të Psikiatrisë për Fëmijët dhe Adoleshentët dhe Shoqatën Mjekësore Shqiptaro-Amerikane, ku shërben si bashkëkryetarë e Bordit të Drejtorëve.
E njohur për Aktivitetet e saj vullnetare në komunitet nga Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane ‘Motrat Qiriazi’, Dobroshi fitoi çmimin e zgjedhur nga pacientët më 2018.