Krejt çka thanë në gjykatë tre të dyshuarit për sulm ndaj gazetarit Valon Syla

“Ndjej keqardhje që ka ndodhë dhe nuk ka motive siç e ceki prokurori, ka qenë e momentit për shkak se e ka fyer Pejgamberin a.s”- është një pjesë e deklaratës të cilën i dyshuari Lum Dervishi e kishte thënë në seancën e mbajtur javën e kaluar në lidhje me sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

Lum Dervishi 24 vjeçar, Kenan Hasani 23 vjeçar dhe Okan Hasani 24 vjeçar tashmë janë duke mbajtur masën e sigurisë atë të paraburgimit për 30 ditë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes apo përçarjes me rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

Të premten më 14 prill kanë dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake pas kërkesës së Prokurorit special Afrim Shefkiu për t’u caktuar të njëjtëve një masë të sigurisë pas veprimeve që dyshohet se kanë kryer, pra kishin sulmuar gazetarin Syla.

Të tre të dyshuarit në seancën e 14 prillit ishin të pranishëm së bashku me avokatët e tyre.

Prokurori Shefkiu në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, ka përmendur faktin se sulmi ndaj gazetarit Syla ishte me motive ideologjike ekstreme fetare.

Të tre të dyshuarit kanë pranuar para organit të akuzës së kanë sulmuar gazetarin Syla ndërsa kanë përmendur faktin se kanë qenë edhe të sulmuar.

Fillimisht Lum Dervishi para gjyqtarit në seancë ka thënë se nuk kanë tentuar dhe as nuk janë arratisur nga vendi i ngjarjes.

“E vërteta qëndron se ne nuk jemi larguar por na kanë sulmuar më shumë se 10 persona aty prezent që kanë qenë, na kanë sulmuar me mjete të forta siç kanë qenë edhe arkë të birrave (gajbe), gur dhe gjësende të tjera”- ka përshkruar situatën Lum Dervishi.

I pandehuri Okan Hasani e ka përshkruar situatën e njëjtë sikurse Dervishi.

“Nuk e pranoj paraburgimin e para se na nuk kemi pas m’u arratis por qysh ka ndodh rasti e shpjeguan edhe këta, na edhe mas rastit kena qarkulli lirshëm, i kena pa edhe lajmet edhe krejt krejt edhe s’kemi tentu me u arratisë ose diçka, masi na ka ardhë telefonata prej policisë na nuk kemi rezistu, kemi pranuar kanë ardhë me na marrë”- ka treguar Hasani.

Vëllai i Okanit, Kenani, ka thënë se kualifikimi i veprës penale të nxitjes së urrejtjes nuk qëndron.

“Nuk ka të bëj me këtë punë, ka qenë vetëm e momentit dhe nuk ka qenë as e planifikuar ose diçka tjetër edhe nga vend ngjarja nuk e kemi pas qëllim me ik dhe për shkak të sulmit që na kanë bë u dashtë mu largu prej vendit se na kanë sulmuar me mjete të forta. Neve na vjen keq për këtë rast që ka ndodh dhe nuk kemi dashur me ardhë puna deri këtu dhe ka qenë moment dhe nuk ka pasur motive të tjera për të cilat akuzohem” – është shprehur Kenan Hasani.

Gjykata në vendimin për caktimin e masës së paraburgimit ka thënë se kërkesa e prokurorisë është e bazuar.

Çka thotë dosja e prokurorisë?

Prokurori Afrim Shefkiu është caktuar ta trajtojë rastin e sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla, që ndodhi mbrëmjen e 11 prillit.

Veprimet e tre të dyshuarve për sulm, Shefkiu i përshkruan si veprime me motive ekstreme fetare pasi Syla ishte sulmuar pas një postimi në rrjetin e tij social.

“Të motivuar me ideologji ekstreme radikale islamike e motiv të nitjes së urrejtjes fetare dhe përçarjes e mos durimit ndaj gazetarit Valon Syla për shkak të një profili të tij në rrjetin social Facebook për profetin Muhamed dhe Profetin Isa, paraprakisht të dyshuarit e përcjellin të dëmtuarin nga TV T7 dhe me të arritur afër një restauroni në lagjen Bregu i Diellit duke ia rrezikuar sigurisë e sulmojnë fizikisht me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit”- thuhet në dosjen e prokurorisë.

Me këto veprime të të dyshuarve, Syla ka pësuar lëndime të lehta trupore për çka edhe është trajtuar në QKUK.

Të dyshuarit ishin arrestuar një ditë më vonë nga organet e rendit.

Fillimisht rasti ishte cilësuar si lëndim i lehtë trupor e më pas është rikualifikuar në nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *